“E keni shoqe dhe e merrni në çdo ministri”, Zhupa pyet Kumbaron për emërimet pa garë në krye të arsimit, ministrja: S’parashikohen garuesit

14/11/2025 20:00

Në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sporte u diskutua në parim projektligj “Për Buxhetin e Vitit 2026” me Ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro.

Deputetja e PD Ina Zhupa iu drejtuar ministres Kumbaro duke e pyetur në lidhje me përzgjedhjen në krye të Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar të zonjës Arta Dollani, duke theksuar se nuk pati një konkurs të rregullt, por një pseudokonkurs.

Duke iu referuar investigimit të Top Channel në lidhje me procedurat e ndjekura për zgjedhjen e Dollanit në këtë Agjenci, ku u hap një konkurs dhe e vetmja garuese ishte ajo, Zhupa e pyeti Kumbaro sesi ka mundësi që Dollani konkurroi në të njëjtën ditë që dha dorëheqjen nga detyra e kreut të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

“Kjo specialistja e kulturës dhe e mjedisit, për rastësi në të gjitha ministritë që shkoni ju, tani që u bëtë ju ministre e arsimit doli specialiste e arsimit parauniversitar dhe erdhi u bë me pseudokonkurs drejtoreshë e Agjencisë së Arsimit Parauniversitar. Si e shpjegoni ju këtë zonja Kumbaro?”, tha Zhupa.

Kumbaro iu përgjigj se “nëse zonja në fjalë ka qenë një menaxhere e zonja në disa nga Agjencitë, kjo nuk e pengon aspak që të konkurrojë”, duke shtuar me tej se “sa kandidatë marrin pjesë në një konkurs, këtë nuk e parashikon dot askush”.

Pjesë nga debati:

Ina Zhupa: Kam një shqetësim që lidhet drejtpërsëdrejti me ministren Kumbaro. Në vendimmarrjet e para tuaja është emërimi në krye të arsimit parauniversitar të zonjës Arta Dollani. Ky emërim do duhet të ishte me konkurs që parashikonte disa kritere ligjore e që lidhet edhe me ardhjen nga kategoria e mësuesve. Por nga një investigim i bërë nga media Top Channel tregonte qartësisht se konkursi ishte fiktiv me një kandidat, në të njëjtën ditë që zonja Dollani kishte dhënë dorëheqjen nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe me kritere të shpikura si me porosi për zonjën Dollani… “Të ketë 10 vjet në pozicione drejtuese etj, etj”… mundësisht thoshte të ketë punuar me zonjën Kumbaro.

Pse është problem kjo pjesë? Sepse zonja Dollani është zonja që ju ndjek në çdo ministri dhe çfarë aftësish ka zonja Dollani që kur jeni ju ministre e Kulturës ajo të jetë drejtoreshë e Institutit të Monumenteve të Kulturës, specialist e shquar e kulturës e njëjta zonjë që i dhatë leje bashkë me ju sallamerisë Hako në Butrint; e njëjta zonjë që u bë specialiste e mjedisit kur u bëtë ju ministre e mjedisit. Nga specialiste e Kulturës doli specialiste e mjedisit dhe si e tillë sot hetohet nga SPAK për mbetjet e rrezikshme të sjella nga Tajlanda.

Kjo specialistja e kulturës dhe e mjedisit, për rastësi në të gjitha ministritë që shkoni ju, tani që u bëtë ju ministre e arsimit doli specialiste e arsimit parauniversitar dhe erdhi u bë me pseudokonkurs drejtoreshë e Agjencisë së Arsimit Parauniversitar. Si e shpjegoni ju këtë zonja Kumbaro? Një përdorim i fondeve publike për ti dhënë rroga mikeshës suaj të pandarë në të treja ministritë? Një përpjekje e juaj për të rritur cilësinë e arsimit apo një klientelizëm siç keni funksionuar ju duke marr me vete stafin e ngushtë?!

Mirela Kumbaro: Më vjen mirë që parafolësja e përmendi që ka pasur konkurs. Nëse zonja në fjalë ka qenë një menaxhere e zonja në disa nga Agjencitë, kjo nuk e pengon aspak secilin nga punonjësit e administratës publike që të konkurrojë në diversifikimin e karrierës së tyre menaxheriale që kanë treguar se kanë aftësi në sektorë të ndryshëm. Kjo përputhet me kriteret edhe nuk bëhet fjalë me specialistët, që kanë të tjera kritere. Pastaj se sa kandidatë marrin pjesë në një konkurs këtë nuk e parashikon dot askush.

Ina Zhupa:  Nuk arritët dot të më jepnit një përgjigje? Që është shoqja juaj?! Çfarë kapacitetesh ka në arsimin parauniversitar znj Arta Dollani? Argument është që bëtë një konkurs? Pseudo konkurs me kritere të porositura. Nëse ti drejtuesin nuk e zgjedh nga sistemi, çfarë pret nga mësuesit?!

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta