Kërcënohet drejtori i IKMT-së në Shkodër/ I vendoset kurorë me lule në derën e shtëpisë së prindërve

20/07/2025 14:56

Një kurorë me lule, simbol mortor, është vendosur në derën e shtëpisë së prindërve të Emiljano Nikës, drejtor i IKMT-së në Shkodër.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Sektor të Velipojës dhe është denoncuar në polici si një akt kërcënimi.

Nika ka pasur rol kyç në aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit, ku është përballur me kundërshtime nga banorët.

Njoftimi i Policisë:

Më datë 18.07.2025, shtetasi E. N., 44 vjeç, banues në Shkodër, ka kallëzuar se në banesën ku jetojnë vetëm prindërit e tij, në fshatin Sektor, Velipojë, në pjesën e jashtme të banesës, mbi kangjellat e portës, ka konstatuar një kurorë me lule. Po punohet për sqarimin e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Nika është kërcënuar edhe më herët për shkak të detyrës. Policia po heton për të identifikuar autorët dhe për të garantuar sigurinë e tij.

Top Channel