Katastrofa e Air India ndez alarmin! Corriere della Sera: Shëndeti mendor i pilotëve në qendër të vëmendjes, njëri prej tyre rrëfen luftën me depresionin

20/07/2025 13:25

Pas rrëzimit të avionit të Air India dhe dyshimeve se piloti kishte fikur motorët në mënyrë të qëllimshme, çështja e shëndetit mendor të pilotëve është rikthyer me urgjencë në debatin publik ndërkombëtar.

Ndërkohë, Troy Merritt, pilot amerikan 32-vjeçar, rrëfen hapur betejën e tij me mendimet vetëvrasëse dhe depresionin, si dhe rrugën e vështirë për t’u rikthyer në kabinën e pilotit.

“Kisha mendime vetëvrasëse dhe ndalova së fluturuari. Të tjerët heshtin nga frika”, tha Merritt në një intervistë për Corriere della Sera, duke hedhur dritë mbi një problem që shumë pilotë nuk guxojnë ta ndajnë.

Pilotët rrallë flasin për shëndetin e tyre mendor, jo për mungesë vetëdijeje, por nga frika se do të humbin licencën dhe punën.

Merritt pranon se ndaloi së fluturuari pasi kuptoi që nuk mund ta përballonte më gjendjen e tij:

“Në një moment po mbytesha nga mendimet dhe lodhja. E dija që më duhej ndihmë serioze.”

Aksidenti i fundit me Air India, ku piloti dyshohet se fikur qëllimisht motorët, ka kujtuar rastin e vitit 2015 me Germanwings, kur një pilot e përplasi avionin në Alpet Franceze. Raste të tilla, edhe pse jashtëzakonisht të rralla, theksojnë mungesën e kontrolleve të qëndrueshme psikologjike në aviacionin civil.

Pavarësisht perceptimit, vetëvrasjet e lidhura me pilotët përfaqësojnë më pak se 0.000001% të pasagjerëve në fluturime komerciale gjatë 40 viteve të fundit. Por studimet tregojnë se mbi 4% e pilotëve kanë përjetuar mendime vetëvrasëse, ndërsa mbi 56% e tyre shmangin trajtimin për të mos humbur licencën.

Pasi kërkoi ndihmë dhe iu nënshtrua terapisë dhe medikamenteve të kontrolluara, Merritt iu desh të kalonte testime neuropsikologjike, intervista të thelluara me psikiatër dhe një pritje 9-mujore nga FAA për të marrë certifikatën mjekësore. Ai tashmë është kthyer në punë dhe po shërben si një shembull për të tjerët që kanë frikë të kërkojnë ndihmë.

Pasi historia e tij u bë publike, pilotë nga e gjithë bota i janë drejtuar Merritt-it për ndihmë dhe këshillë. “Shumë besojnë se trajtimi do të thotë fundi i karrierës, por nuk është e vërtetë”, thotë ai.

Merritt është bërë një zë i fuqishëm në thyerjen e tabusë dhe në promovimin e “kulturës së drejtë” në aviacion, ku shëndeti mendor nuk shihet si dobësi, por si një aspekt jetik i sigurisë.

Sistemet e sotme mjekësore në SHBA dhe Europë janë ende të ngadalta dhe burokratike për të përballuar rastet e shëndetit mendor në kohë. Merritt dhe të tjerë si ai kërkojnë një reformë të thellë, ku trajtimi të jetë i përballueshëm, i shpejtë dhe pa pasoja ndëshkuese për pilotët që kërkojnë ndihmë.

“Mund të kërkosh ndihmë dhe të fluturosh përsëri. Unë jam dëshmia”, përfundon ai.

Top Channel