Përqafimi në “kiss cam” që shkaktoi furtunë! CEO dhe drejtoresha nën hetim pas videos virale në koncertin Coldplay!

19/07/2025 07:35

Një video virale e realizuar gjatë koncertit të Coldplay në stadiumin Gillette të Bostonit ka kthyer vëmendjen e të gjithëve drejt dy drejtuesve të një kompanie teknologjike, të cilët u filmuan në një përqafim intim, në atë që duket të ketë qenë një moment i pafajshëm, por me pasoja të rënda.

Në ekranin gjigant të stadiumit, nën tingujt e grupit legjendar britanik, kamerat kapën Kristin Cabot – drejtoreshën e burimeve njerëzore në kompaninë “Astronomer” – duke u përqafuar me CEO-n e kompanisë, Andy Byron. Frontmeni i Coldplay, Chris Martin, reagoi me humor në skenë: “Shikoni këta të dy…”, ndërsa turma prej 60 mijë personash shpërtheu në të qeshura. Cabot mbuloi fytyrën me dorë dhe u largua nga kamera, ndërsa Byron u përkul për t’u fshehur. Martin shtoi me ironi: “Ose kanë një lidhje sekrete… ose janë shumë të turpshëm.”

Videoja, e publikuar në TikTok të mërkurën vonë, mori mbi 50 milionë shikime në pak orë, duke shkaktuar një stuhi reagimesh në rrjete sociale. Pas shpërthimit të interesit publik, kompania Astronomer publikoi një deklaratë ditën e premte, duke njoftuar se të dy drejtuesit janë pezulluar përkohësisht ndërsa po zhvillohet një hetim i brendshëm.

“Tek Astronomer, jemi të përkushtuar ndaj vlerave dhe kulturës që kemi ndërtuar që prej themelimit,” – thuhet në deklaratë. “Drejtuesit tanë duhet të jenë shembull për të tjerët, si në sjellje ashtu edhe në përgjegjësi.”

Sipas portalit Axios, pezullimi i vonuar i Byron u ndikua nga negociatat për dorëheqjen dhe paketën e largimit të tij nga kompania.

Rrjetet sociale u mbushën me meme dhe komente thumbuese për situatën, ndërsa u publikuan madje edhe deklarata të rreme në emër të CEO-s, duke nxitur edhe më shumë reagime. Një shitës në Etsy madje krijoi një bluzë me mbishkrimin: “E mora dashnoren në koncert të Coldplay dhe më shkoi jeta dëm”.

Sipas të dhënave të Muck Rack, në vetëm 24 orë u shkruan mbi 22,000 artikuj për kompaninë Astronomer dhe 9,000 të tjerë vetëm për Byron. Ndërkohë, platforma Memo raportoi se mbi 15 milionë njerëz e kishin ndjekur lajmin – një shifër e krahasueshme me procese gjyqësore mediatike si ai i P. Diddy apo përplasjet mes Elon Musk dhe ish-presidentit Trump.

Në mes të kësaj stuhie virale, zbulohet se Kristin Cabot kishte mburrur më herët në LinkedIn për aftësinë e saj për të “fituar besimin e CEO-ve”. Ajo kishte lavdëruar Byron në postimin e saj të mirëseardhjes në Astronomer në nëntor, duke theksuar se ajo “udhëheq me shembull dhe fiton besimin e punonjësve në të gjitha nivelet”.

Byron e kishte quajtur Cabot “të jashtëzakonshme”.

Cabot rezulton të jetë divorcuar nga bashkëshorti i saj Kenneth Thornby në vitin 2022, sipas dokumenteve të martesave në Massachusetts. Ndërkohë, gruaja e Andy Byron, Megan Kerrigan Byron, hoqi mbiemrin e burrit nga profili i saj në Facebook, përpara se të çaktivizonte llogarinë.

Byron është CEO i Astronomer që nga viti 2023 – një platformë e teknologjisë së të dhënave me bazë në Nju Jork, që ndihmon ekipet e të dhënave të sjellin në jetë analitikë, inteligjencë artificiale dhe softuerë kritikë për misionin e kompanive.

Për ironi, në LinkedIn – rrjet i njohur për profesionalizëm – u vërshuan komente thumbuese me fjalë nga këngët e Coldplay. Një përdorues shkroi: “Dritat nuk e udhëhoqën Andyn në shtëpi…”

Grace Springer, fansja që filmoi momentin, deklaroi për The Sun se nuk kishte asnjë ide kush ishin ata që kapën kamerat. Ajo tha se ndihet keq për situatën dhe uroi që partnerët e përfshirë “ta kalojnë këtë dhe të gjejnë lumturi përsëri.”

Top Channel