Armëpushim në Siri pas rreth një jave luftime, presidenti sirian: Jemi të përkushtuar për mbrojtjen e të gjitha pakicave në vend

19/07/2025 11:25

Presidenca siriane njoftoi sot një “armëpushim të menjëhershëm” në provincën Sëeida, në Sirinë jugore, ku forcat e sigurisë kanë filluar të vendosen pas përleshjeve ndërkomunitare në të cilat më shumë se 700 persona kanë vdekur në rreth një javë.

Në një deklaratë, presidenca siriane u bëri thirrje “të gjitha palëve që ta respektojnë plotësisht” armëpushimin dhe të ndalojnë dhunën.

Forcat siriane të sigurisë filluan të vendosen sot në këtë provincë ku shumica e banorëve janë Druzë, pas njoftimit të SHBA-së për një marrëveshje midis Sirisë dhe Izraelit, e cila deri më tani kishte qenë kundër pranisë së forcave qeveritare siriane në zonë.

Ndërkohë, në një fjalim televiziv menjëherë pas shpalljes së armëpushimit, presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa ripërtëriti angazhimin e tij për mbrojtjen e pakicave.

“Shteti sirian është i përkushtuar për sigurinë e të gjitha pakicave dhe komuniteteve në vend. Ne dënojmë pa mëdyshje të gjitha krimet e kryera në Sëeida”, theksoi ai.

Përshkallëzimi i dhunshëm në provincë nxjerr në pah natyrën e brishtë të marrëdhënieve midis grupeve etno-fetare në Siri, e cila ende po vuan nga efektet e një lufte civile shumëvjeçare.

Top Channel