
Lëvizja “Shqipëria Bëhet” i është drejtuar me një letër KQZ.
Adriatik Lapaj kërkon që mandati i fituar në qarkun Tiranë të shpërndahet sipas listës përkatëse të hapur.
“Nisma “Shqipëria Bëhet”, me Vendimin nr. 237, date 04.03.2025, është regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si koalicion për zgjedhjet parlamentare të datës 11 maj 2025, me z. Adriatik Lapaj në cilësinë e drejtuesit të koalicionit.
Ky koalicion ka marrë 16,520 vota në Qarkun Tiranë, duke fituar një mandat përfaqësimi.
Ju bëjmë me dije se kandidatët e listës së mbyllur për këtë qark kanë paraqitur dorëheqjen nga kandidimi, përpara nisjes së procesit të numërimit të votave. Kjo është një dorëheqje nga kandidimi, jo nga mandati, pasi mandati në këtë fazë nuk ekzistonte ende dhe nuk mund të heqësh dorë nga një ngjarje e së ardhmes.
Çdo ndryshim i mëvonshëm i qëndrimit nga ana e këtyre kandidatëve është i pavlefshëm në aspektin juridik dhe nuk prodhon pasoja, pasi vlefshmërinë e ka vetëm akti i parë – dorëheqja nga kandidimi.
Në kuptimin juridik, dorëheqja sjell pasoja të menjëhershme në momentin e paraqitjes së saj.
Në kontekstin elektoral, dorëheqja nga kandidimi është një akt përfundimtar dhe i pakthyeshëm, që përjashton kandidatin nga çdo e drejtë për të marrë mandat. Duke u tërhequr nga kandidimi, ata nuk kanë qenë më subjekt garues për zgjedhjet e 11 majit 2025. Në këtë mënyrë, e kanë përjashtuar veten nga lista zgjedhore, dhe veprimi i tyre nuk mund të zhbëhet me pas me asnjë deklaratë të mëvonshme, pasi nuk kane qenë më pjesë e garës zgjedhore.
Në kushtet kur kemi të bëjmë me një heqje dorë nga kandidimi dhe jo me dorëheqje nga mandati, ligji kërkon që mandati të kalojë tek kandidati pasues në liste, në përputhje me rregullat për zëvendësimin e mandateve. Për këtë arsye, kërkojmë që të procedohet me shpërndarjen e mandatit të fituar në Qarkun Tiranë, sipas listës përkatëse të hapur”, shkruhet në letrën e “Shqipëria Bëhet”.
Ndërsa ka nisur numërimi mbrapsht për afatin e shpërndarjes së mandateve për Tiranën, pasi Kolegji Zgjedhor pritet të vendosë sot për fatin e mandateve të këtij qarku, Lapaj dhe Shabani po zhvillojnë një betejë publike se kush do futet në Kuvend në shtator.
Një ditë më parë kryetari i “Shqipëria Bëhet”, u përbetua publikisht se as Shabani dhe asnjë familjar i tij nuk do të gëzojë mandatin e Tiranës.
Sigurinë Lapaj e ka nga Ana Dajko, e para në listën e mbyllur. 60-vjeçarja me arsim të mesëm, nga Saranda të cilës i takon mandati.
Në KQZ Dajko nuk ka depozituar asnjë shkresë për marrje mandati ndërsa shkresa e vetme është ajo për heqjen dorë nga mandati, e depozituar në grup me të gjithë kandidatët e listës së koalicionit, me datë 11 maj.
Por ajo është “asi” nën mëngë i Lapajt për t’u “hakmarrë” ndaj Shabanit që po kërkon t’i prishë ëndrrën për deputet.
Në përditësim…
Top Channel