Franca dhe Italia nuk do të marrin pjesë në iniciativën e re të NATO-s për financimin e furnizimit me armë amerikane për Ukrainën.

Politico dhe La Stampa iu referuan zyrtarëve qeveritarë të dy vendeve që nuk u identifikuan.

Megjithëse Franca ka qenë mbështetës i gjatë i Ukrainës, ajo ka vendosur të mos marrë pjesë në këtë plan, i cili u prezantua gjatë takimit mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Uashington më 14 korrik.

Sipas këtij plani, NATO do të blejë armë të avancuara amerikane, duke përfshirë sisteme të mbrojtjes kundër ajrit dhe një pjesë e tyre do t’i dorëzohet Ukrainës.

Sipas dy zyrtarëve francezë, Franca ka refuzuar të marrë pjesë në iniciativë pasi presidenti francez, Emmanuel Macron promovon forcimin e industrisë evropiane të mbrojtjes përmes blerjes së armëve të prodhuara brenda Evropës.

Franca gjithashtu përballet me kufizime buxhetore dhe objektiva më të larta të shpenzimeve për mbrojtjen në mes të presionit më të gjerë ekonomik.

Italia ka marrë një qëndrim të ngjashëm. Sipas La Stampa, zyrtarët italianë kanë përjashtuar mundësinë e blerjes direkte të armëve amerikane, duke iu referuar kufizimeve fiskale dhe fokusit të vendit te teknologjitë e tjera ushtarake, për shembull sistemit italo-francez kundër ajrit SAMP/T, i cili tashmë është dorëzuar Ukrainës.

Vende të tjera evropiane – përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Holandën dhe disa vende nordike – mbështetën marrëveshjen.

Më 15 korrik, presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se dërgesat shtesë të raketave Patriot dhe pajisjeve të tjera ushtarake ishin tashmë në proces.

Top Channel