Në prag të përvjetorit të dytë, publikohet raporti për shkaqet e aksidentit hekurudhor me 57 viktima! Opozita mocion mosbesimi qeverisë

27/02/2025 21:15

Agjencia Kombëtare e Hetimit të Aksidenteve të Aviacionit dhe Hekurudhave në një raport prej 178 faqesh ka përshkruar shkaqet e aksidentit fatal në luginën e Tempit dy vjet më parë, pikërisht në vigjilje të grevës më të madhe dhe protestave në kujtim të 57 viktimave të kësaj tragjedie hekurudhore.

Raporti i referohet një zinxhiri gabimesh njerëzore, mangësish , pakujdesish si dhe patologjive kronike në nivel planifikimi dhe infrastrukture tek dy kompanitë , Hellenic Train ,që mbulon transportin e pasagjerëve dhe Organizmit Shtetëror të Hekurudhave, përgjegjës për rrjetin.

Në lidhje me shpërthimin pas përplasjes ,në raport thuhet se treni i mallrave ka transportuar ilegalisht një lëndë djegëse të panjohur. Hetuesit vlerësojnë se nga 57 viktimat, 5 deri në 7 ka të ngjarë të kenë vdekur nga zjarri i shkaktuar pas përplasjes.

Gjithashtu një prej gabimeve fatale për gjetjen e provave është menaxhimi jo korrekt operacional i vendit të ngjarjes së tragjedisë ku u hodh çimento disa ditë pas aksidentit duke shkaktuar humbjen e informacionit jetik për të kuptuar shkaqet.

Raporti hedh dritë edhe për vonesat burokratike prej vitit 2016 të riparimit të rrjetit hekurudhor të Greqisë sipas standarteve europiane, keqfunksionimet e sistemit apo emërimet pa kritere profesionale të nënpunësve të operatorit të hekurudhave apo edhe të personelit të përgjysmuar në vitet e krizës greke. Vlen të përmendet se rrjetet europiane kanë 2nënpunës për çdo km linjë hekurudhore, kurse prej 2010 Greqia ka 0.5 punonjës.

Megjithëse kreu i Agjencisë deklaroi se nga hetimi nuk rezulton ndërhyrje politike për menaxhimin e zonës së aksidentit dhe fshehjen e fakteve , partitë opozitare vazhdojnë përsëri të akuzojnë qeverinë Mitsotakis për aksidentin fatal. Madje ditën e mërkurë partia më e madhe opozitare greke PASOK do të kërkojë mocion mosbesimi ndaj qeverisë në parlament.

Raporti u publikua ,ndërsa në 260 qytete, komuna dhe ishuj të Greqisë dhe 120 qytete jashtë saj janë thirrur greva e protesta nga të gjitha sindikatat e vendit, shoqata tregtare e studentore, në një prej lëvizjeve më të mëdha në vitete e fundit pa ngjyra partiake, me kërkesë kryesore vendosjen e drejtësisë për fajtorët e aksidentit, për një sitem gjyqësor të pavarur nga politika dhe për një sistem politik të besueshëm për qytetarët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA