
Kryeministri Edi Rama njëkohësisht Kryetar i PSSH zhvilloi një takim me strukturat e Partisë Socialiste të njësive 3 dhe 4 në kryeqytet.
Ai sërish sulmoi opozitën, duke e quajtur kryedemokratin Sali Berisha bufin e kënetës dhe mbështetësit e tij zhaba e bretkosa.
“U bë gjithë ajo luftë atje. Një luftë, ku këneta investoi të gjithë zhabat dhe të gjithë bretkosat e veta, ku bretkosat, zhapikët e zhabat u hodhën nëpër dritaret e miletit të shkretë atje, iu futën nëpër dhoma, iu futën në kuzhinë, iu futën në krevat dhe kua, kua, kua, kua e çmendën një pjesë të miletit atje”, tha Rama.
Ndërsa përmendi rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, Rama theksoi se Shqipëria me hyrjen në BE do të marrë një frymëmarrje të re “sepse do të ketë një mbështetje të strukturuar shumë herë më të madhe se çdo mbështetje që kemi marrë deri më sot sepse është tamam si një familje ku më të mëdhenjtë ndihmojnë më të vegjlit, deri kur këta të vegjlit bëhen pastaj kontributorë”.
Kryeministri dhe Kryetari PSSH Edi Rama : Shumë faleminderit për praninë! Ky është një takim që bëjmë bashkë me Ogertën në vazhdën e takimit me të gjitha njësitë e Tiranës. Këto zgjedhje janë më të rëndësishmet ndonjëherë, jo për PS se për PS kanë qenë të gjitha zgjedhjet të rëndësishme, por janë më të rëndësishmet ndonjëherë për Shqipërinë.
Janë më të të rëndësishmet ndonjëherë për Shqipërinë sepse për herë të parë ne kemi një dritare të hapur mundësie që në dy vitet që vijnë të përmbyllim një histori të pafundme për t’u bërë pjesë e BE.
Askush tjetër nuk e bën dot atë që i duhet Shqipërisë në këtë fazë dhe në këto rrethana dhe nuk ka të tjerë që mund ta fusin Shqipërinë në BE. Duhet të jemi shumë të qartë për këtë. Nuk ka. Thjeshtë nuk ka. Nuk e bëjnë dot. Nuk i kanë kapacitetet. Nuk e kanë besimin që ne kemi fituar. Nuk e kanë respektin që ne kemi fituar. Vërtet sot Shqipëria ka një tjetër reputacion, por nuk është akoma në atë fazë ku reputacioni i Shqipërisë nuk varet nga ata që qeverisin në Shqipëri.
Reputacioni i Shqipërisë do të jetë i pavarur nga ata që qeverisin në Shqipëri, kur Shqipëria të bëhet anëtare e BE.
Aty Shqipëria do çlirohet nga varësia e kujt qeveris dhe aty Shqipëria do bëhet e barabartë në dinjitet. Pastaj e barabartë në standarde, e barabartë në ekonomi, e barabartë në gjithë të tjerat. Është një rrugë që do vazhdojë. Por patjetër me mundësi shumë më të mëdha sepse kur një vend hyn në BE, përfiton nga të tjerët. BE ka dy kategori vendesh, janë kontributorët dhe janë dhe përfituesit. Kështu është i ndërtuar. Vendet e mëdha, vendet e pasura janë kontributorët. Vendet e reja, vendet më pak të pasura janë përfituesit.
Dhe për këtë arsye, një vend si i yni me hyrjen në BE do të marrë një frymëmarrje të re sepse do të ketë një mbështetje të strukturuar shumë herë më të madhe se çdo mbështetje që kemi marrë deri më sot sepse është tamam si një familje ku më të mëdhenjtë ndihmojnë më të vegjlit, deri kur këta të vegjlit bëhen pastaj kontributorë.
Disa nga vendet që kanë hyrë në BE të parat mbas rëndësi së komunizmit kanë qenë përfituese të mëdha dhe janë në pozitën tani që po kthehen në kontributorë. Ndërkohë që, ne do të hyjmë dhe do jemi përfitues. Por, përtej përfitimeve të natyrës ekonomike dhe financiare, përfitimi më i madh është qe ne na ka dhënë Zoti, jeta dhe fati ynë që jemi këtu në PS dhe që kemi një zë pak më të madh, sesa zëri i një anëtari të zakonshëm, mundësinë që të bëjmë hakmarrjen më të madhe për të gjithë poshtërimet e gjithë historisë tonë që na i kanë bërë ne të tjerët ose që i kemi bërë ne vetes, unë them më shumë ia kemi bërë ne vetes sesa na i kanë bërë të tjerët, por kjo nuk ka shumë rëndësi.
Kemi qenë një komb, një popull, një vend i poshtëruar.
Tani i kemi ardhur shumë afër mundësisë për të marrë hak. Për të marrë hak në kuptimin pozitiv, për të hequr një herë e përgjithmonë nga qafa atë zgjedhën e nënvlerësimit, të poshtërimit të të parit nga lartë poshtë, të trajtuarit si popull dhe si njerëz të dorës së dytë. Dhe për t’u dhënë të gjithë atyre që janë gjallë fatmirësisht mundësinë që të ndjehen të barabartë sa herë të mendojnë për Europën dhe sa herë ta shikojnë Brukselin, mos ta shikojnë si një vend që është kryeqyteti i disave, por ta shohin dhe si kryeqytetin e tyre dhe kur të dëgjojnë se çfarë thuhet atje, të dëgjojnë zërin e tyre dhe nga ana tjetër të marrin hak paradhënie për gjithë ata që janë fëmijë sot.
Tjetër është të jesh në Europën me një pasaportë të huaj qytetar i Europës dhe është një arritje shumë e madhe individuale dhe tjetër është në Europë qytetar i Europës me një pasaport kuqezi, që është e barabartë 100% dhe mbi atë shqiponjën aty të shkruhet Republika e Shqipërisë, Bashkimi Europian. Është tjetër gjë komplet. Tjetër gjë është të jesh një biznes në kufi të BE, tjetër është një biznes brenda BE.
Tjetër gjë është të jesh një student që vjen nga Ballkani dhe shkon në BE, tjetër gjë është të jesh student në BE. Të gjitha janë tjetër. Por mbi të gjitha është një përmbysje epokale, shekullore sepse përgjithmonë ne nuk do jemi më ata të tjerët në mes të Europës.
Të bëjmë atë që breza të tërë e kanë ëndërruar dhe kanë shpresuar ta shohin një ditë në 200 vjet. Që të jetojmë në një vend që është përfundimisht i sigurtë. Në një familje të madhe që është familja e rrënjëve të kulturës së botës. Mund të thoni shumë gjëra për të cilat ne mund të mos na vijë mirë, ne që jemi këtu në tavolinë. Jam i sigurtë. Jam i bindur që dëgjoni nga të tjerët dhe të tjera gjëra që ju vet .. duke qenë udhëheqës të PS në atë pjesën tuaj të llogores. Dhe ka gjëra për të mos na ardhur mirë. Por ama, kur shikoj atë lagjen atje tek 5 Maji, thosha sa njerëz ishin të pikëlluar deri në palcë. Apo natën kur i la tërmeti pa shtëpi dhe sa prej tyre e imagjinonin që do kishin një ditë ato shtëpi atje? Ishin me mijëra njerëz dhe askush nuk besonte që do të kishte më shtëpi dhe të gjithë parafytyronin gjërat më të tmerrshme.
Për më tepër, ju i njihni, pjesa më e madhe e tyre janë shtresa më vunerabël dhe sot ata kanë apartamente që në Tiranë kushtojnë 1500, 1700, 1900-euro metri katror dhe i kanë falas. Dhe është vetëm një pjesë e punës. Sepse kanë hyrë të gjitha familjet e prekura nga tërmeti, por është faza tjetër për familjet që kanë shpronësuar. U bë gjithë ajo luftë atje. Një luftë, ku këneta investoi të gjithë zhabat dhe të gjithë bretkosat e veta, ku bretkosat, zhapikët e zhabat u hodhën nëpër dritaret e miletit të shkretë atje, iu futën nëpër dhoma, iu futën në kuzhinë, iu futën në krevat dhe kua, kua, kua, kua e çmendën një pjesë të miletit atje.
I nxorën në rrugë nëpër protesta për disa banesa që ishin Kandahar, që s’kishin lidhje fare as me Tiranën, as me Europën dhe s’kishin lidhje fare as me apartamentet që ata do të marrin, fare.
Por këneta këtë punë ka bërë dhe kush është këtu, dhe këtu ka jo pak që janë me mua në këtë betejë qysh në ditën 1 dhe e dinë shumë mirë se këneta këtë punë ka pasur. E vetmja gjë që ka ndryshuar është që zhabat janë plakur, bretkosat janë sfilitur, zhapikët janë çmendur, por ama aty janë, me bufin në krye, që është si ajo që thotë, “Jep shpirt, po s’heq dorë”. Dhe për gjithë ata që pak kujtesë vënë në lëvizje, po ta bënim këtë mbledhje në 2013, do e bënim me gjenerator. Edhe po të ecnim në Tiranë, s’flas te 5 Maji, se aty duhet të ikësh para se të perëndonte dielli, se mund të humbje në gropë, edhe duke qenë 2 metra si puna ime. S’flas për njësinë 4, ku kur errësohej, duhet të gjeje shtëpinë me të pyetur. 78 neonë punonin në Tiranë kur unë kam hyrë në Bashkinë e Tiranës, shtatë-tetë, 78 – 10×7+8, që të jemi të qartë, jo 780 neonë. 78 punonin pa u dridhur, ishin edhe ca që dridheshin, s’merrej vesh a ishin ndezur, a ishin fikur e kishin me dy mendje dhe pjesa tjetër ishte errësirë komplet.
Edhe njerëzit vinin kandilat me vaj nën penxhere, se bënin tym që të merrnin dritë brenda dhe kur ecje rrugës duhet t’i bërtisje partnerit, se bërtiste gjeneratori, edhe çdo 5 metra kishte një gjenerator që ulërinte. Kështu ishte atëherë. Tani ne bëjmë, ne ulim çmimin e energjisë që s’ka bërë vaki askund në këto vite dhe në Shqipëri nuk është hera e parë që bëhet një ulje e përgjithshme e çmimit të energjisë. Edhe çohen, se këneta ka këta që janë në kënetë gjithë kohës, po janë dhe ca të tjerë që hyjnë e dalin në kënetë, futen në kënetë, pastaj shkojnë dalin në televizor. Futen në kënetë, pastaj dalin në televizor. Futen në kënetë, pastaj dalin në portal. Këta kanë një shtëpi në qendër, domethënë kënetë, dhe një shtëpi në plazh, domethënë televizor. Edhe përqeshnin, “Aha, e ulët ju, e ulët çmimin e energjisë me 1 lek. Ah, mo me një lek”. Me një lek, po ishte një lek në 9 lekë, nuk ishte 1 lek në 1 mijë lekë, se po të ishte 1 lek në 1 mijë lekë, DAKORD, DO THOJE ÇA ULE. Po 1 lek në 9.5 lekë është 10.5%. Po 1 kilovat 10.5%, po 2 kilovat, po 3, po 4 dhe ato 1 lekëshat ke kilovati bëhen si ato 5 napolona dhe qelbët të Qazim Mulletit, “Të qelta, të qelta tha, po 5 këtu e 5 atje s’janë më të qelta” – Qazimi. Po Qazimi, po këta para Qazimit që u bë për rahmet e për estradë, e bëjnë Qazimin të duket si Abraham Linkolni.
Kur ne morëm këtë detyrë, ishin 117 mijë subjekte private, sot janë 250 mijë. Tani si është kjo që ekonomia është më keq, gjërat janë më keq, këtu punët kanë shkuar më keq kur ne sot numërojmë 250 mijë subjekte private, ndërkohë që atëherë ishin 117 mijë? Si ndodh kjo? Si ka mundësi që në këtë vend që qenka shpopulluar komplet dhe paska ngelur vetëm pleq, subjektet private janë më shumë sesa dyfishi, po le të themi dyfish?
Po në ndërkohë, kur ne morëm detyrën, të gjithë paguanin taksë 10% në pagë. Edhe pastruesja në Kryeministri paguante 10% taksë, edhe Kryeministri paguante 10% taksë tek paga.
Sot është komplet ndryshe dhe është aq ndryshe saqë 57% e njerëzve që marrin pagë në administratë ose në sektorin privat nuk paguajnë asnjë taksë, tatim mbi të ardhurat po flas, se sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ato secili i paguan për veten e vet, po për shtetin, asnjë. Dhe 36% të tjerë paguajnë 4 deri në 10%, ndërkohë që atëherë të gjithë paguanin 10%. Po çfarë është kjo? Kjo është 140 euro në vit, që prej 10 vjetësh ia kemi lënë njerëzve, 1.4 miliardë që përndryshe do i kishte marrë shteti. 1.4 miliardë! A ka probleme shëndetësia? Patjetër ka probleme, po kemi ndërtuar 53 spitale, 10 totalisht të reja që nuk ekzistonin, 43 të tjera nga themelet i kemi rrëzuar në tokë dhe i kemi ringritur. 53 spitale, 400 qendra shëndetësore ka sot me ambulanca Shqipëria, ndërkohë që dikur thuhej që atje ka një qendër shëndetësore. Po atje kur shkoje, po të ishe me fat, gjeje një infermier duke pirë cigare. Po të ishe me fat, gjeje një infermier, doktor nuk bëhej fjalë. Dhe në qoftë se gjeje një infermier duke pirë cigare, gjeje edhe një krevat me ndryshk dhe me një batanije ushtarake të kohës së zboreve.
Tani kemi 400 qendra shëndetësore që kanë infermier, kanë mjek, kanë të gjitha pajisjet e nevojshme për shërbimin parësor që të mos flas për sterilizimin se për sterilizimin gjithë populli ka dëgjuar vetëm që është bërë një korrupsion i madh. Jam sy e vesh për të parë deri në fund rezultatin e procesit, por ama di një gjë, që kur ne e bëmë sterilizimin Shqipëria ishte vendi me numrin më të lartë të infeksioneve spitalore në Europë, domethënë si rregull futeshe në spital për një organ dhe me atë rast merrje dhe një infeksion dhe kjo bëntë që pasi të mbaroje punë me operacionin,të rrije dhe ca ditë të tjera për infeksionin dhe paguante populli shqiptar, ndërkohë që po të shohësh sot, të njëjtat materiale që përdoren për operacione, për ndërhyrje kirurgjikale në Gjermani përdoren dhe në Shqipëri dhe po të shohësh ditët e shkurtuara të qëndrimit në spital për shkak të rënies së infeksioneve, përfitimi nga shteti është ku e ku më i madh sesa gjithë masa e akuzave që janë bërë po akuzat janë temë tjetër, do flas pak më mbrapa.
Kur ne morëm detyrën kishte nja 5 palestra gjithësej dhe ishin palestrat që kishte bërë Partia e Punës për të stërvitur brezin e ri, nuk ishin palestra ..dhe më kujtohet që ishin palestra ku shkonim ne e luanin atëherë basketboll. Të shkojmë te kjo palestra, të shkojmë te ajo palestra se pikonte tavani i Asllan Rusit,quhej pallati i sportit Partizani në atë kohë dhe mblidhej në pellg atje i vogël,në mes të pallatit dhe shkonim tek këto palestrat.
Sot nuk ka më shkolla pa palestra dhe më kujtohet një drejtor i ZA në Fushë-Krujë ku për shkak të tërmetit u bënë gjithë ato dëmtime shkollash e më tha: kryeministër- më tha, e keni ekzagjeruar një çikë se kemi mëshumë banjo se në të gjitha katundet rreth e rrotull.
Nëse gjithçka kthehet siç̧ ishte Shqipëria, nuk e kapërcen atë dritaren që është hapur, mbetet prapë brenda qerthullit historisë̈ së vet. Por duhet shumë durim, shoku jonë më i mirë, shoku jonë më i ngushtë, ose më saktë, shoqja, shoqja jonë më e mirë, shoqja jonë, shoqja jonë më e dashur, shoqja që ne vdesim dhe nuk i ndahemi, është fitorja.
Shoqja fitore me 11 maj do vijë me ne, Noc Rrokun do t’ia u çojnë për dhëndërr atyre që do t’iu shkojë mendja se mund t’i afrohen shoqes fitore.
Top Channel