Trump: Tarifa 25% ndaj Europës/ Presidenti i SHBA trondit BE-në dhe vulos akordin me Zelensky-n: Firmosim të premten

26/02/2025 22:19

Presidenti i Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Donald Trump, kërcënoi se do të vendosë tarifa 25% ndaj vendeve të Bashkimit Evropian.

Gjatë takimit të parë të kabinetit të mërkurën, presidenti i SHBA deklaroi se shumë shpejt ai do t’i publikojë detajet rreth paralajmërimeve të fundit për tarifat. “E kemi marrë vendimin dhe do të jetë 25%”, ka saktësuar ai.

BE-ja është partneri i tretë më i madh tregtar i SHBA-së bashkë me Kinën. Trump ka deklaruar se javën e ardhshme do të vendos tarifa 25% ndaj dy partnerëve më të mëdhenj tregtarë të SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës.

Ai nuk ka dhënë më shumë detaje, por ka përmendur prodhuesit e veturave dhe ka deklaruar se taksat mund të aplikohen “në mënyrë të përgjithshme”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës konfirmoi se Volodymyr Zelensky do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë të premten për të nënshkruar marrëveshjen për mineralet e rralla dhe për rindërtimin e Ukrainës së shkatërruar nga lufta.

“Jemi duke bërë një punë shumë të mirë me Rusinë dhe Ukrainën. Presidenti Zelensky do të vijë të premten, është e konfirmuar tashmë, dhe ne do të nënshkruajmë marrëveshjen”, ka deklaruar Trump.

“Kam kënaqësinë t’ju them se më në fund bëmë një marrëveshje ku ne do të rimarrim paratë tona dhe do të marrim vërtetë shumë para në të ardhmen. Mendoj se kjo është e përshtatshme”, ka shtuar ai.

Trump ka deklaruar se administrata e tij është “e lumtur” për marrëveshjen, e cila mund t’i garantojë SHBA-së qasje në mineralet e rralla të Ukrainës si pjesë e negociatave më të gjera për të ndaluar pushtimin rus.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA