I gjithë gjiri i Durrësit është përfshirë nga reshjet e shiut, ndërsa kushtet atmosferike në det të hapur kanë ndikuar në pezullimin e lundrimit për mjetet e tonazhit të vogël, përfshirë dhe peshkarexhat të cilat mëngjesin e sotëm janë kthyer në port.

Kapiteneria e portit të Durrësit bën me dije se forca e detit është 5-6 ballë, ndërsa era fryn nga juglindja. Pasdite era parashikohet të ndryshojë drejtim e të fryjë nga veriu duke sjellë dhe rënie të temperaturave.

Ndërkaq tragetet që lidhin portin italian të Barit kanë lundruar pa probleme drejt Durrësit, duke mbërritur rreth orës 07:00.

Sipas parashikimeve moti në det të hapur pritet të normalizohet të dielën, duke kthyer normalitetin në veprimtarinë e flotës së peshkimit në fillim të javës së re.

Ndërkohë në Vlorë është ndaluar pajisja me leje-nisje i mjeteve te vogla lundruese dhe ato te peshkimit të cilat operojnë në det të hapur duke filluar nga ora 10:00 datë 14.12.2024.

Po ashtu, të gjithë drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës të marrin në konsideratë kushtet hidrometeorologjike dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre.

Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA