Lufta në Gaza dhe situata në Siri, të dërguarit amerikanë në Lindjen e Mesme

13/12/2024 17:24

Këshilltarët kryesorë të Presidentit amerikan Joe Biden po qëndrojnë në Lindjen e Mesme këtë javë në përpjekje për të arritur një armëpushim në Gazë dhe për të menaxhuar pasojat e rënies së Presidentit Bashar al-Assad në Siri.

Vizitat e tyre po bëhen në një periudhë kur shtete fqinje të Sirisë, përfshirë aleatët amerikanë, Izraeli dhe Turqia, po zhvillojnë manovra ushtarake.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të premten se ekziston “një pajtim i përgjithshëm” në mes të Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara për vizionin e tyre për Sirinë pas rrëzimit të Bashar al-Assadit.

Ai i bëri komentet pas takimit me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan.

“Ekziston një pajtim i përgjithshëm se çfarë do të dëshironim të shihnim në të ardhmen, duke filluar me qeverinë e përkohshme në Siri, një qeveri gjithëpërfshirëse dhe jo-sektare, që mbron të drejtat e pakicave dhe të grave, që ruan institucionet shtetërore dhe ofron shërbime për qytetarët, që do të menaxhojë armët kimike që mund të gjejë, t’i sigurojë ato dhe t’i shkatërrojë në mënyrë të duhur. Një qeveri që refuzon aleancë me grupet ekstremiste dhe, si e tillë, që nuk kërcënon shtetet fqinje të Sirisë”, deklaroi Sekretari Blinken.

Trupat izraelite kanë avancuar në thellësi të zonës neutrale, që ndan Lartësitë Golan, territor sirian i pushtuara nga Izraeli dhe që patrullohet nga forcat e Kombeve të Bashkuara. Izraeli ndërmori qindra sulme ajrore nëpër Siri gjatë ditëve të fundit.

Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan u takua të enjten në Izrael me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

“Izraeli u përball me një kërcënim të menjëhershëm, rënien e një strukture që kishte ekzistuar për një kohë të gjatë dhe mundësinë që ky hendek të zëvendësohej nga një kërcënim i drejtpërdrejt ngjitur me kufirin e tij. Prandaj ndërmori veprime për t’iu kundërpërgjigjur këtij kërcënimi. Nga pikëpamja e Shteteve të Bashkuara, ky veprim është veprim logjik dhe në vijë me të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur”, deklaroi këshilltari Sullivan.

Grupet e kryengritësve që rrëzuan Assadin në Siri ende nuk e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre ndaj Izraelit.

Kombet e Bashkuara thonë se veprimet e Izraelit shkelin Marrëveshjen e tij me Sirinë të vitit 1974, të nënshkruar pas luftës në Lindjen e Mesme.

“Nuk ka absolutisht asnjë bazë sipas ligjit ndërkombëtar që lejon Izraelin të godasë Sirinë me qëllim parandalimi”, thotë Raportuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Ben Saul.

Ndërkohë, kurdët sirianë në afërsi të kufirit verior me Turqinë janë zhvendosur pas luftimeve ndërmjet forcave kurde të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara dhe kryengritësve sirianë që mbështeten nga Ankaraja. Shtetet e Bashkuara ndërmjetësuan një marrëveshje armëpushimi ndërmjet këtyre grupeve të mërkurën.

Sekretari Blinken gjithashtu theksoi se është e rëndësishme të vazhdojnë përpjekjet për ta mbajtur grupin terrorist, Shteti Islamik, nën kontroll.

Ministri i Jashtëm turk Fidan tha se me Sekretarin Blinken kishin diskutuar për mënyrat se si ta mposhtin terrorizmin në këtë shtet.

“Përparësia jonë është vendosja e stabilitetit në Siri sa më parë, të parandalohet përhapja e terrorizmit dhe të sigurohemi që Shteti Islamik dhe Partia Punëtore e Kurdistanit nuk dominojnë”, deklaroi ministri Fidan.

Krahas situatës në Siri, Sekretari Blinken dhe këshilltari Sullivan po bëjnë një përpjekje të fundit diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje që do t’i jepte fund luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Gazë, duke mundësuar edhe lirimin e pengjeve që po mbahen nga grupi militant, që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste.

Shtetet e Bashkuara besojnë që Hamasi po mban ende tre shtetas amerikanë, që mendohet të jenë ende gjallë, si dhe trupat e katër të tjerëve. /REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA