“VLEN” po deshqiptarizon institucionet! Akuza e deputetit të opozitës në Shkup për koalicionin në qeveri

23/11/2024 15:19

Ilir Hasani, një nga deputetët më të votuar shqiptarë në parlamentin e Maqedonisë së Veriut, njëherazi anëtar i kryesisë të BDI në opozitë, në një intervistë për Top Channel shpalos një panoramë shqetësuese për të drejtat e shqiptarëve atje, pas ardhjes në pushtet të koalicionit VLEN.

“Qysh nga formimi koalicionit  çdo ditë mos të çdo javë, çdo ditë kemi skandale të reja të cilat e përbuzin situatën dhe gjendjen e Shqiptarëve dhe de-nivelojnë duke e kthyer mbrapa gjendjen e shqiptarëve nga një pozicion që e kemi patur shumë të lartë këto 20 vitet e fundit pas luftës, gjë për të cilën është derdhur edhe gjak është derdhur djersë. Nga të gjitha institucionet ku ne kemi patur përfaqësim të drejtë ndoshta edhe më shumë sa na takon proporcionalisht neve në të gjitha institucionet është bërë një de-shqiptarizim dhe një pastrim si me fshesë e të gjithë shqiptarëve që janë atje”, thotë ai.

Deputeti Hasani tregon dëmet e pritshme nga vendimi gjykatës kushtetuese maqedonase për gjuhën shqipe.

“Shqetësuese është se kanë paralajmëruar heqjen e tre neneve që kanë të bëjnë me një nivel shumë të lartë të implementimit të gjuhës në Republikën e Maqedonisë së Veriut që do të thotë se edhe në gjykata edhe në polici do të duheshe të flitej shqip. Kjo gjë është votuar si ligj por tani Gjykata Kushtetuese lajmëron se do ta heqin këtë kusht që ne e kemi afruar me ligjin për gjuhën shqipe. Ligji për këtë është mjaft preciz. Të gjithë qytetarët që janë mbi 20% në kllapa shqiptarët dhe gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, shprehet Hasani në intervistën me gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu.

Ndërsa për heqjen e mekanizimit të punësimit njohur Balancuesi, Ilir Hasani tregon se kjo është disfavor të shqiptarëve.

“Nga zero 2% që e kemi patur para luftës kemi arritur një përqindje shumë të madhe të shqiptarëve në institucionet e shtetit. Heqja e Balancuesit në këtë periudhë nuk është vetëm aq. Në të njëjtën kohë Gjykata Kushtetuese ka hequr mundësinë që ti të deklarohesh me etnikë tënde. Pra ka hequr etninë”, thekson deputeti.

Përballë akuzave te qeverisë maqedonase dhe partnerëve të tyre shqiptarë në koalicion, në këndvështrimin e tij deputeti i BDI, Ilir Hasani mendon se Ali Ahmeti mbetet figura kryesore politike përtej forcës politike që drejton, sepse është arkitekti i cili zgjodhi paqen në vend të luftës në 2001, duke i hapur rrugën Maqedonisë për integrim në BE e NATO.

“Sa i përket korrupsionit ne si politikanë nuk duhet të përzihemi se aty ka institucione të tjera që merren me këtë punë. Por me sa po shohim gjashtë muajt e fundit nuk kemi asnjë veprim të gjykatave në lidhje me korrupsionin në BDI. Unë nuk jam këtu të mbroj korrupsionin tonë në BDI nëse ekziston. Por ne nuk duhet ta shfrytëzojmë si arsyetim në çdo moment kur gjendemi ngushtë për mos të them tradhtinë e çështjeve kombëtare dhe të gjuhës dhe përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”.

Ndërsa për komentet e Albin Kurtit për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut deputeti Hasani dha këtë koment.

“Sa i përket Albin Kurtit mendoj se është një keq informim i kryeministrit të Kosovës për avancimin e gjuhës në republikën tonë të dashtun”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA