Përvetësoi 25.000 euro nga biznesmeni shqiptar, Gjykata e Tiranës vendos “Arrest me burg” në mungesë për shtetasin nigerian

09/06/2023 12:17

Gjykata e Tiranës vendosi masën “Arrest me burg” në mungesë për shtetasin Nigerian Sebastian Negbenedor, i cili i mori 25 mijë euro biznesmenit shqiptar përmes mashtrimit.

Në përfundim të një hetimi dy vjeçar, Prokuroria Pranë Gjykatës Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkoi masën e sigurisë ‘Arrest me burg’ për shtetasin nigerian Sebastian Negbenedor, me vendbanim në Dublin për Veprën Penale “Mashtrimi Kompjuterik”.

Në datën 20 tetor 2020 në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pranë seksionit të krimit kompjuterik, shtetasi E.B., banues në Tiranë, i cili prej 10 vitesh administron biznesin e tij në import detergjentësh kryesisht nga Italia, denoncoi mashtrimin e bërë nëpërmjet e-maileve.

Gjatë aktivitetit të tij ndër vite ai komunikonte me palën italiane nëpërmjet e-mailit me qendër në Bolonja, Itali ku dhe bënte transferta për mallin që merrte. Në datën 07.09.2020 i vjen një e-mail ku i kërkohej të dërgonte shumën prej 25.000 euro në llogari të kompanisë po tashmë jo në Itali po në Gjermani.

Kallëzuesi nuk e konstatoi që trasferta e eurove nga Italia duhet të dërgoheshin në Gjermani duke kryer pagesën dhe vetëm kur pala italiane kërkoi pagesën kuptoi mashtrimin.

Në vazhdim të hetimeve paraprake iu dërguan letër porosi për ndihmë gjyqësore autoriteteve gjyqësore në Republikën e Gjermanisë dhe Republikën e Turqisë për të identifikuar IP-në me të dhënat përkatëse.

Me mbërritjen e letërporosive u identifikua se autori i mashtrimit dhe përfituesi i 25.000 eurove ishte shtetasi nigerian S. N., lindur në Warri, Nigeri dhe banues në Dublin, Irlandë.

Hetimet provuan se ky shtetas ka kryer aktivitetin kriminal të “Mashtrimi kompjuterik” parashikuar nga nenet 143/b/3 i K.Penal duke i përvetësuar viktimës, shtetasit E. B. shumën prej 25.000 eurosh.

Për këto arsye, bazuar dhe në nenet 287/1 e 315 të Kodit të Proçedurës Penale u kërkua në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë masa e sigurisë ‘Arrest në burg’ në mungesë, kërkesë e cila u miratua nga Gjykata.

Top Channel