Një turiste polake humbi jetën në orët e para të mëngjesit të së premtes, në plazhin e Durrësit.

Policia njoftoi se rënia nga lartësia, kati i gjashtë i hotelit ku ishte akomoduar, i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme 55-vjeçares polake, e identifikuar si Barbara Vashkov.

Një ditë më parë 55-vjeçarja kishte mbërritur në Shqipëri për të kaluar një javë pushime buzë Adriatikut.

Por ajo që duhej të ishte një javë e bukur pushimesh është kthyer shpejt në tragjedi. Në rrethana ende të paqarta ajo ka rënë nga ballkoni i dhomës ku ndodhej bashkë me bashkëshortin e saj. Nga hetimet paraprake, bazuar kryesisht në dëshminë e bashkëshortit rezulton se të dy kanë qenë duke festuar natën e parë të pushimeve dhe kanë konsumuar pije alkolike. Nën efektin e tyre, dyshohet se turistja polake ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë nga lartësia.

Po hetohet gjithashtu edhe nëse mes çiftit ka pasuar ndonjë grindje paraprake në hotel. Grupi hetimor po vijon hetimet në lidhje me ngjarjen e rëndë, ndërsa është marrë në pyetje partneri i saj, turistë të tjerë, si dhe personeli i hotelit ku po qëndronin.

Top Channel