Donald Trump ende nuk i ka larë duart me drejtësinë amerikane.

Ish-presidentit të SHBA-së i është komunikuar së fundi se ndaj tij po zhvillohet një hetim penal lidhur me disa dosje të klasifikuara që ka pasur në zotërim edhe pas largimit nga Shtëpia e Bardhe. Lajmin e përcjell CNN që citon burime në dijeni të çështjes, të cilët pohojnë se janë në dijeni të letrës së dërguar ekipit ligjor të Trumpit nga Departamenti i Drejtësisë dhe të brendisë së saj, por vetë, nuk e kanë parë.

Vendimi i prokurorëve federalë për ta njoftuar ish-presidentin amerikan se po zhvillohen hetime penale lë të kuptohet se ai së shpejti mund të përballet me akuza lidhur me këtë rast. Nëse akuzat ngrihen vërtet, kjo do të jetë aktpadia e dytë për Trumpin, që aktualisht po bën fushatë për rizgjedhje në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Prokurorët kanë hetuar transferimin e dosjeve konfidenciale në pronën e Trumpit në Mar-a-Lago të Floridës që nga viti i kaluar. Kjo pronë ishte kontrolluar në gusht të vitit të kaluar, kur ishin sekuestruar 11.000 dokumente, përfshirë rreth 100 të etiketuar si dokumente të klasifikuara. Disa prej tyre cilësoheshin top sekret.

Në një intervistë të dhënë një ditë më parë, Trump mohoi të jetë informuar se do të përballet me n aktakuzë për këto dokumente.  Kur u pyet nga New York Times nëse i ishte thënë se ndaj tij po zhvillohej një hetim federal, Trump tha se “duhet ta kuptoni” se ai nuk ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me prokurorët.

Top Channel