NATO “ua mbledh” aleatëve: Rrisni buxhetet për ushtrinë, do shkojë mbi 2%!

08/06/2023 09:04

Financimi i NATO-s do të përbëjë boshtin e samitit të ardhshëm të aleances në Vilnius të Lituanisë, së bashku me së bashku me zgjerimin e saj dhe garancitë për sigurinë.

Sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg, dhe ambasadorja e SHBA-së në NATO, Julianne Smith, që morën pjesë në një konferencë virtuale të sponsorizuar nga Qendra për Sigurinë e Re Amerikane, pohuan se anëtarët do ta diskutojnë pragun për shpenzimin e të paktën 2 për qind të bruto prodhimit të brendshëm të vendeve anëtare të NATO-s në mbrojtje .

Smith u zotua se SHBA-ja do të vazhdojë të bëjë presion për t’u siguruar që anëtarët të shpenzojnë të paktën 2 për qind të PBB-se së tyre në mbrojtje, siç është rënë dakord në Premtimin e Investimeve të Mbrojtjes të vitit 2014, i cili kërkon që vendet ta përmbushin këtë prag deri në vitin 2024.

Por këtë radhë, ka edhe një risi. Smith theksoi se 2 përqindëshi “është në fakt një prag, dhe jo një tavan” dhe se planet e ardhshme të NATO-s mund të kërkojnë rritjen e mëtejshme të tij. Shtetet e Bashkuara të Amerikës “po planifikojnë t`i shtyjnë aleatët që ta kapërcejnë nivelin e 2 për qind brenda viteve të ardhshme, pohoi ajo.

Liderët e 31 vendeve të NATO-s, të cilët do të mblidhen më 11 dhe 12 korrik në kryeqytetin lituanes, pritet të zhvillojnë gjithashtu biseda kyçe mbi ardhmërinë e aleancës, lidhur me një zgjerim të mundshëm të saj.

Top Channel