“Alpe të pastra”! Asgjesohen mbi 3 mijë bimë kanabis, në kërkim 65 vjeçarja në Shkodër

08/06/2023 09:30

Përfundon faza e pestë e megaoperacionit policor “Alpe të pastra”, e zhvilluar gjatë dy ditëve të fundit nga Policia e Shkodrës.

Në operacionin për kontrollin e territorit malor të disa fshatrave u angazhuan 40 forca policore dhe u përdorën 3 dronë. Ndërsa si rezultat u gjetën dhe u asgjësuan në total 510 fidanë dhe 2760 bimë kanabis sativa, si dhe u shpall në kërkim një 65-vjeçare.

Gjatë përdorimit të dronëve në fshatin Lotaj, e moshuara me inicialet A.M. u konstatua se po kujdesej për bimët e dyshuara narkotike. Policia asgjesoi 460 bimët narkotike, sakaq vijon puna për kapjen e saj.

Në ditën e dytë të fazës së pestë të megaoperacionit “Alpe të pastra” u asgjësuan 2300 bimë kanabis të kultivuara në territorin e fshatit Pepaj, njësia administrative Shosh, si dhe 510 fidanë të mbjellë në kubikë.

“Megaoperacioni policor antikanabis “Alpe të pastra”, vijon. Policia e Shkodrës apelon për të gjithë banorët e zonave malore të qarkut dhe për të gjithë fermerët që të mos përfshihen në veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe të denoncojnë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, çdo indicie që mund të kenë për këtë veprimtari kriminale”- thuhet në njoftim.

Top Channel