Asocacioni/ Rama zbulon kush e hartoi draftin dhe pse: Kosova, përplasje me ata që hodhën bomba për të lartësuar kombin tim

08/06/2023 12:41

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se mori vendimin për të hartuar draftin për Asocacionin, pasi nga lëvizjet e interlekutorëve u sigurua që askush nuk do të merrej me shkrimin e tij.

Sipas Ramës, drafti është punuar nga ekspertët e lartë amerikanë dhe evropiane prej kohësh, në rast se dy palët Kosovë-Serbi nuk do merreshin vesh me njëra-tjetrën.

Por si u prit drafti i parashtruar prej qeverisë shqiptare nga presidenti francez Emanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz? Rama nuk dha detaje për këtë çështje, duke theksuar se ka bërë thjesht detyrën.

“Nuk hyj fare në këto. S’ka asnjë rëndësi, unë kam bërë vetëm detyrën sepse e dija që ne do të mbërrinim në një pikë të tillë sepse i kam parë interlekutorët, i kam lexuar si duhet për fatin e keq të Kosovës dhe në kushtet kur askush nuk merret dot vesh se kush duhet ta shkruaj si draft, ky është një kontribut i shkruar nga njerëz që janë ajka në mendimin juridik botëror”, shprehet Rama.

I pyetur nëse ka pasur ndonjë konsultim paraprak me Kurtin apo nëse ka marrë garanci nga Serbia se ky draft do të vihet në zbatim, Rama përgjigjet se nuk është aty për asnjërën nga palët, por për Kosovën. Me nota patriotizmi, Rama tha se e ndjen si detyrë ndaj kombit shqiptar të flas, kur sheh se një pjesë e saj po përplaset me ata që dikur hodhën bomba për të lartësuar kombin tonë.

Duke ritheksuar se drafti është neutral, Rama sqaron se nuk ka asnjë interes personal në çështje.

“Nuk është detyra ime të konsultohem as me njërën palë, as tjetrën. Për më tepër tashmë që jam kryeministri i Shqipërisë, kjo e bën pozicionin tim edhe më të vështirë. Sepse vetvetiu, dua apo s’dua unë, jam palë.

Drafti është neutral në këtë pikë, nuk është bërë as për njërën as për tjetrën palë, por për Kosovën. Për mua është Kosova mbi të gjitha, dhe jam këtu për Kosovën, nuk jam këtu as për njërin as për tjetrin, as për veten time fare. Sepse unë nuk marr vota në Kosovë dhe nuk kam asnjë interes në Kosovë në aspektin personal, as profesional, as partiak, as politik ngushtësisht. Por si kryeministër i Shqipërisë që sheh se si një pjesë e kombit tim po hynë në një kurs përplasje me ata që e lartësuan kombin tim si asnjë herë më parë dhe hodhën bomba për kombin tim, unë e ndjej detyrë ndaj kombit tim që t’i them këto fjalë”, tha Rama.

Top Channel