Shkrimtari Ismail Kadare është dekoruar me urdhrin “Hasan Prishtina”, nga presidentja Vjosa Osmani.

Kadare është falënderuar për përkushtimin me të cilin e ka mbrojtur të drejtën e Kosovës për liri e pavarësi, si dhe për mjeshtërinë e jashtëzakonshme në artin e fjalës së shprehur përmes veprave të tij.

Dekorimi i shkrimtarit të mirënjohur shqiptar është bërë në Presidencën e Kosovës, në ditët kur në Prishtinë po mbahet edicioni i 23-të i Panairit të Librit.

Duke folur për shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare, presidentja Osmani ka thënë se vepra e tij është një enciklopedi artistike e jetës së rëndomtë të shqiptarëve dhe historisë së tyre.

“Për mjeshtërinë e jashtëzakonshme në artin e fjalës të shprehur gjithandej veprave të tij, për përkushtimin me të cilin e ka mbrojtur të drejtën e Kosovës për liri e pavarësi, si dhe për vlerat letrare e intelektuale me të cilat është paraqitur nëpër botë dhe me të cilat e ka lartësuar gjuhën, kulturën e letërsinë shqipe, si dhe vet popullin shqiptar”, u shpreh Osmani.

Osmani ka thënë se krijimtaria e tij ka dëshmuar se liria e mendimit nuk mund të kontrollohet nga pushtetet.

“Krijimtaria juaj letrare e zhvilluar kryesisht brenda rrethit të hekurt ideologjik ka dëshmuar se liria e krijimit dhe liria e mendimit nuk mund të kontrollohen nga pushtetet dhe se liria, pavarësisht se mund të shtypet në publik, jeton e paprekur në gjakimin e njerëzve për ta parë vendin e popullin e tyre të lirë. Duke dashur të ju falënderoj për kurajën me të cilën ju e keni prezantuar çështjen shqiptare në përgjithësi, por atë të Kosovës në veçanti, në qarçe të rëndësishme intelektuale e politike gjithandej Evropës e Botës, për pasurinë e pafund letrare të cilën ju na e keni dhuruar, dhe [për dashurinë e pamasë me të cilën ju e keni përfaqësuar kombin gjithandej globit, më lejoni të ju ftoj zoti Kadare, për ceremoninë e dekorimit tuaj me urdhrin më të lartë të cilin Republika e Kosovës dhe në këtë rast unë si presidente e ndaj në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, urdhrin Hasan Prishtina”.

Ndërsa, shkrimtari Ismail Kadare u shpreh se ky urdhër nënkupton nderim të madh për të.

“Jam shumë i prekur të jem midis jush për këtë nderim kaq të madh, çdo njëri, çdo shqiptar do ta ëndërronte një gjë të tillë. Është një fat i rrallë që një popull të të nderojë dhe të të quaj bashkëmbrojtës të të drejtave të tij, të lirive të tij, sidomos kur ky popull le ka rrugën e historisë të vështirë”.

Ismail Kadare ka marrë pjesë në hapjen e edicionit të 23-të të Panarit të Librit në Prishtinë. Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, ai është pritur në takim edhe nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Top Channel