I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se situata në veri të Kosovës duhet të shtensionohet menjëherë pa pritur zgjedhjet e reja në muajin korrik.

Gjatë një konference për shtyp në Beograd, Escobar tha se: “Kryetarët nuk duhet t’i shfrytëzojnë ndërtesat komunale, Policia e Kosovës duhet të tërhiqet nga zona përreth këtyre ndërtesave dhe protestuesit duhet të largohen. Shpresojmë që të ketë zgjedhje të reja dhe ne duam që serbët të marrin pjesë në to pa parakushte.”

Escobar tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka siguruar se do ta shfrytëzonte ndikimin e tij për t’i bindur serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet eventuale.

“Sfida më e madhe për Serbinë është t’i bindë serbët që të kthehen në institucionet e Kosovës. Tani kjo është ajo ku unë mendoj se ne jemi në linjë me Serebinë. Ne duhet të sigurohemi se ata që marrin pjesë në zgjedhje dhe serbët që kthehen në institucione, janë të mirëpritur”, tha zyrtari i lartë amerikan.

I pyetur nëse ka ndonjë përgjigje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me propozimin evropian për shtensionimin e situatës në veri, Escobar tha se diskutimet mes Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të vazhdojnë edhe pas largimit të këtij të fundit sot nga Beogradi.

“Nuk e di nëse ka pasur ndonjë përgjigje konkrete nga Qeveria e Kosovës. Shpresoj se Qeveria e Kosovës e kupton se ajo që ne po përpiqemi të arrijmë, është një rezultat i qëndrueshëm dhe reciprokisht i dobishëm për të dyja vendet“, tha Escobar.

I dërguari amerikan theksoi se partneriteti i SHBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar me Kosovën “është i hapur”. Por, nëse Qeveria e Kosovës, shtoi ai, merr hapa të njëanshëm dhe largohet nga partneriteti me komunitetin transatlantik, “kjo vetvetiu është një pasojë”.

Escobar tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, sepse kthimi i shpinës ndaj tij, nënkupton “t’i kthesh shpinën Evropës”.

“Kjo, në vetvete, është një pasojë shumë e rëndë”, tha ai. Escobar përsëriti se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është “kërkesë ligjore” për Qeverinë e Kosovës.

Në një moment, nëse Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin e saj, ajo duhet të formojë Asociacionin. Pyetja është se a do të ndodhë kjo me këtë qeveri apo me qeverinë e ardhshme“- tha Escobar.

Sipas zyrtarit amerikan, Kosova dhe Serbia duhet të përqendroren në planin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve dhe të ecin përpara me Asociacionin.

Top Channel