“Do të të vras”/ Pronari i lokalit në Shijak denoncon kanosjen në polici, ende asnjë gjurmë nga autori

05/06/2023 12:55

Ende asnjë gjurmë nga kanosësi i pronarit të një biznesi në Shijak. Haxhi Aliu, 34 vjeç nga Maminasi ka qenë duke shpërndarë personelin rreth orës 22:00 të natës së kaluar, kur një person i armatosur, i paidentifikuar prej tij, i ka dalë përpara dhe e ka kanosur me armë.

Ai është ndjerë i rrezikuar dhe menjëherë ka njoftuar policinë e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes, po pa mundur ta gjejë personin e dyshuar. 34-vjeçari Aliu është pronar i një bar restoranti  pranë liqenit të Rubjekës në Shijak.

Rreth orës 22:10 të së dielës, ai ka njoftuar policinë se pasi ka mbyllur lokalin, në afërsi të liqenit të Rubjekës, dhe teksa po lëvizte me automjet, për të shpërndarë në banesa, personelin që punonte në lokalin e tij, një shtetas ende i paidentifikuar nga policia e ka kanosur me armë zjarri.

Grupi hetimor nën drejtimin e prokurorisë, që është ngritur për këtë rast, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e motivit të kanosjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. Paraprakisht dyshohet se kanosja është bërë për motive konkurence.

Top Channel