E akuzuar për vdekjen e 4 foshnjave, falet pas 20 vitesh në burg vrasësja më famëkeqe e Australisë

05/06/2023 09:49

Një grua e quajtur dikur “vrasësja seriale famëkeqe e Australisë” është falur pasi provat e reja sugjeruan se ajo nuk i vrau katër fëmijët e saj të mitur.

Kathleen Folbigg kaloi 20 vjet në burg pasi një juri e gjeti atë fajtore për vrasjen e djemve, Caleb dhe Patrick, si dhe vajzave të saj Sarah dhe Laura. Mirëpo, një hetim i fundit ka çuar shkencëtarët të besojnë se ata mund të kenë vdekur në mënyrë të natyrshme.

Rasti i 55-vjeçares është përshkruar si një nga gabimet më të mëdha të drejtësisë në Australi. Zonja Folbigg, e cila ka konsideruar gjithmonë veten të pafajshme, u burgos për 25 vjet në 2003 për vrasjen e 4 fëmijëve të saj.

Çdo fëmijë vdiq papritur midis 1989 dhe 1999, në moshën 19 ditë deri në 19 muaj, ndërsa prokurorët pretendonin se ajo i kishte mbytur ata. Apelimet e mëparshme dhe një hetim i veçantë i vitit 2019 për rastin nuk gjetën arsye për dyshim të arsyeshëm dhe i dhanë peshë më të madhe provave rrethanore në gjyqin origjinal të zonjës Folbigg.

Mirëpo, në hetimin e ri të kryesuar nga gjyqtari në pension Tom Bathurst, prokurorët pranuan se kërkimet mbi mutacionet e gjeneve kishin ndryshuar kuptimin e tyre për vdekjen e fëmijëve.

Prokurori i Përgjithshëm i New South Wales,  Michael Daley ndërhyri për të urdhëruar lirimin e saj bazuar në rezultatet paraprake të një hetimi i cili evidentoi një  “dyshim të arsyeshëm” për fajin e saj për të katër vdekjet. Daley diskutoi me guvernatorin rajonal duke kërkuar faljen e pakushtëzuar te Folbigg dhe lirimin e saj në të njëjtën ditë.

“Kjo ka qenë një sprovë e tmerrshme për të gjithë personat e përfshirë. Shpresoj që veprimet tona sot t`i japin fund kësaj sage të dhimbshme 20 vjecare”, u shpreh kryeprokurori, i cili  shtoi se kishte informuar Craig Folbigg, babain e foshnjave, për vendim.

Si rezultat, guvernatori i NSW kishte nënshkruar një falje të plotë dhe urdhëroi lirimin e menjëhershëm të zonjës Folbigg nga burgu.

“Do të jetë një ditë e vështirë për të… I uroj paqen,” tha zoti Daley, duke shtuar se mendimet e tij ishin gjithashtu me Craig Folbigg, babai i fëmijëve.

Por si rrodhën ngjarjet?

Kathleen Folbigg u burgos në vitin 2003 për tre akuza për vrasje dhe një vrasje nga pakujdesia pas vdekjes së katër foshnjave të saj pergjate mbi një dekadë duke nisur nga viti 1989. Në secilin prej rasteve, ishte Kathleen që gjeti trupat e tyre të pajetë, megjithëse nuk pati prova fizike që të dëshmonin se ajo po u shkaktonte vdekjet.

Në vend të kësaj, juria u mbështet në argumentin e prokurorisë se shanset që katër foshnja nga një familje të vdisnin nga shkaqe natyrale para moshës 2 vjeçare, ishte thuajse zero. Një tjetër hetim megjithatë nisi vitin e kaluar pasi dolën prova të reja shkencore që jepnin një shpjegim gjenetik për vdekjet e fëmijëve.

Kështu u zbulua se Folbigg dhe dy vajzat e saj bartnin një variant të rrallë gjenetik, CALM2-G114R, i cili mund të shkaktojë aritmi kardiake dhe vdekje të papritur. Ky deformim gjenetik u konsiderua një “shkak i arsyeshëm i mundshëm” i vdekjes së Sarës dhe Laurës, sipas ekspertëve të kardiologjisë dhe gjenetikës. Varianti nuk u gjet tek djemtë, Caleb dhe Patrick.

Në foto: Kathleen Folbigg. E akuzuar për vrasjen e 4 fëmijëve të saj, Foligg ka thënë gjithmonë se ajo ishte e pafajshme.

Top Channel