Kjo që shihni në pamjet më poshtë është klasa e 9 A, klasa në të cilën Fatjon Bici ishte nxënës. Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga ngjarja, tronditja në sytë e shokëve të Fatjonit është e madhe. Kjo është banka ku ai qëndronte i ulur. Tashmë vendi i tij është bosh.

Brengën më të madhe duket se e ka shoku i bankës, i cili tashmë është vetëm. Edhe pse mësimi vazhdon normalisht, asgjë nuk është si më parë.

“Shumë e vështirë të japësh një intervistë për Fatjonin. Ndjesë. Fatjoni ishte një djalë shembullor. Vinte nga një familje punëtore dhe shembullore që interesoheshin për djalin dhe vajzën më të vogël. Ai u rrit në sytë e mi. E njoh që në kopësht madje, klasa e parë. U rrit u zgjat dhe kurrë nuk na kishte krijuar probleme në shkollë“- u shpreh drejtoresha e shkollës “Asllan Shahini”.

Drejtuesit e shkollës si dhe shokët e kujtojnë Fatjonin si një djalë social dhe një nxënës të dalluar. Askujt nuk i kishte shkuar në mendje se ai do të konfliktohej me bashkëmoshatarët e tij në këtë formë kaq ekstreme.

“Fatjoni ishte një djalë shembullor, nuk e prisnim që kjo gjë të ndodhte, pasi asnjë nuk kishte pasur konflikte të vogla më parë, lëre më këtë ishte fatal po nuk kishte konflikte. Edhe me mësime ishte djalë shembullor”, u shpreh shoqja e Fatjonit.

Askush nuk ishte në dieni të sherrit që kishin fëmijët me njëri-tjerin. Por ditët e fundit kishin mësuar se ngjarja kishte filluar në lodrat e qytetit të Gramshit e më pas kishte vijuar në rrjetet sociale.

“Ne nuk kemi pasur asnjë informacion. Madje ai debat që ishte krijuar me nxënësit e shkollës së Drizës ishte me një nxënës tjetër të shkollës sonë në një debat që ne e mësuam më pas. Nxënësit nuk dhanë asnjë shenjë”, tha drejtoresha e shkollës.

“Si fillim kishte nisur nga rrjetet sociale, se cili ishte më i fortë, ishin takuar edhe dy ditë më para ngjarjes. Edhe kishin thënë që Gramshi do ju bëhet makth”, u shpreh shoqja e Fationit.

Si çdo i ri edhe Fatjoni kishte thurur ëndrra për të ardhmen. Ëndrra këto që ju prenë në mes atë ditë në këtë rrugicë mes pallateve në Gramsh.

“Ne po përgatitshim për një ekskursion në Sarandë dhe Fatjoni më shprehu entuziazmin e tij në zyrë duke më thënë zysha do kënaqemi. Ishte djalë që e donte jetën por djalë fatkeq“, tha drejtoresha.

Kishte tërhequr letrat se do shkonte në Greqi për pak ditë, ndodhi kjo, do shkonim dhe në ekskursion, në Sarandë“, tha shoqja e tij.

Këto plane tregojnë afërsinë e madhe që kishte vendi i ngjarjes me shkollën. Pikërisht në këtë fushë ndodhi një vrasje e cila do të trondiste të gjithë qytetin. Prindër, mësues e fëmijë të cilët ishin dëshmitarë të ngjarjes kanë ndryshuar perceptimin për zënkat.

“Nëna mua më tha që nëse të shajnë thuaj falemnderit edhe largohu. Nëse ju shajnë mos i bëni kaq të mëdha gjërat sepse të gjithë janë prekur shumë…”- u shpreh shoqja e Fatjonit. Në qytetin e Gramshit ndodhet vetëm një oficer sigurie në një shkollë të mesme. Ndërkohë shkolla 9- vjeçare “Asllan Shahini” ku studionte Fatjoni nuk e ka një oficer.

Po ashtu roli i psikologut është shumë i rëndësishëm. Në këtë shkollë gjendet një psikologe që vjen nga qyteti i Elbasanit.

“Njjë oficer sigurie unë momentalisht nuk e kam. A më duhet? Duke iu referuar rastit që ndodhi do thosha po. Do rritej siguria e fëmijëve në shkollë”, u shpreh drejtoresha.

Ngjarja e Gramshit është e përmasave të mëdha jo vetëm për vetë qytetin por për të gjithë vendin. Në qarkun e Elbasanit kjo është ngjarja e dytë brenda një viti ku viktima të dhunës janë të miturit.

“Për një periudhë shumë të gjatë kemi pas konstatuar që nuk ka pasur të mitur të përfshirë në ngjarje kirminale, duke nisur nga muaji gusht i vitit 2022 dhe deri aktualisht kemi pasur dy ngjarje kriminale që kanë qenë autorë të miturit. Kemi rëndim të situatës në raport me krimin e të miturve”, u shpreh Drejtuesi i Prokurorisë Elbasan, Kreshnik Ajazi.

Top Channel