Kishin humbur rrugën në një terren malor të fshatit Dukat, policia ndihmon dy turistët anglezë

30/05/2023 14:01

Policia Orikum ka ndihmuar dy turistë anglezë pasi kishin humbur rrugën në një terren të vështirë malor në fshatin Dukat.

Gjatë eksplorimit të zonës, turistët kishin mbetur të izoluar  dhe e kishin të pamundur të ktheheshin.

Si rezultat i kërkimeve për disa orë, është bërë e mundur lokalizimi dhe gjetja e tyre, në vendin e quajtur “Maja e Qorres”, në fshatin Dukat.

Policia bën të ditur se turistët po shoqërohen për në ambientet e hotelit ku ishin akomoduar dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. Ata kanë falenderuar shërbimet e policisë për mbështetjen dhe ndihmën e tyre.

DVP Vlorë është e angazhuar maksimalisht për të krijuar një ambient sa më të sigurt dhe për t’ju ofruar qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve një shërbim sa më cilësor, thotë njoftimi i policisë.

Top Channel