BE-ja tenton edhe një herë t’i gjejë një zgjidhje paqësore tensioneve që me rastin më të parë, nuk vonojnë të ngrenë krye në Kosovë.

I dërguari i posaçëm i bllokut për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, po tenton të të organizojë një takim ad hoc mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiç.

Radio Evropa e Lirë ka mësuar se vendi i takimit mund të jetë Bratisllava e Sllovakisë. Kjo është një ide e tij, të cilën po tenton ta vërë në jetë pohojnë burime diplomatike, sipas të cilave ende nuk ka konfirmime nga palët nëse janë të gatshme për një përballje të tillë.

Por ndërkohë duket se kreu i diplomacisë së bllokut Josep Borrell, po planifikon të shkojë edhe vetë në Bratisllavë. Ai vetë e ka pohuar se po angazhohet në organizimin e një takimi urgjent të nivelit të lartë mes përfaqësuesve të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Arsyeja përse kryeqyteti sllovak u përmend si vendi i mundshëm i zhvillimit të takimit që mund të ulte tensionet mes dy palëve është se dy liderët janë ftuar të marrin pjesë në konferencën e sigurisë globale, Globsec, që po zhvillohet në Sllovaki.

Kurti kishte njoftuar më herët se mund të bëhej pjesë e një paneli në këtë konferencë, por tani nga qeveria e Kosoves thonë se në vazhdën e zhvillimeve të fundit, pjesëmarrja e tij edhe mund të anullohet.

Top Channel