Tension i lartë në Kosovë ku misioni i NATO-s, KFOR-i, ka përdorur gjatë ditës së sotme gaz lotsjellës dhe bomba molotov për të shpërndarë demonstruesit serbë, të cilët po protestonin para bashkisë në qytetin verior të Zveçanit për të kërkuar largimin e kryetarit të ri, i dalë nga radhët e shumicës shqiptare në zgjedhjet e fundit të pjesshme të organizuara në Veri.

Përmes një artikulli, media italiane Rai News shkruan se “nga përleshjet e fundit, kontingjenti shumëkombësh i KFOR ndërsa përpiqej të ndalonte demonstruesit e dhunshëm, kanë mbetur të plagosur deri më tani 20 persona, nga të cilët 11 janë italianë.

Rai News shkruan se 3 prej shtetasve italianë ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi kanë pësuar djegie dhe fraktura. Komandanti i misionit të KFOR-it, gjenerali i divizionit Angelo Michele Ristuccia, po ndjek personalisht zhvillimet dhe shpreh solidaritetin e tij me burrat dhe gratë e misionit që u plagosën gjatë përleshjeve.

“Sulmet e pajustifikuara ndaj njësive të NATO-s janë të papranueshme dhe KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë detyrën e tij në mënyrë të paanshme”– thuhet në reagim.

Ministria italiane e Mbrojtjes deklaroi se: “Sot pasdite njësitë e KFOR-it u përdorën për të mbajtur demonstrata të dhunshme në 4 komunat e veriut të Kosovës. Gjatë kontrastit të skajeve më aktive të turmës, disa ushtarë të kontingjentit italian që i përkisnin regjimentit 9 Alpini l’Aquila pësuan plagë trauma dhe djegie nga shpërthimi i mjeteve ndezëse. Të shpëtuar menjëherë nga njësitë mjekësore të KFOR-it, aktualisht janë nën vëzhgim nga personeli shëndetësor i cili po konstaton gjendjen e tyre.”

Sakaq, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, përmes një komunikate për shtyp tha se: “Në emër timin dhe të qeverisë shpreh ndjenjat e mia më të sinqerta të afërsisë me ushtarët italianë të plagosur gjatë trazirave në Kosovë”. Meloni ka dënuar ashpër sulmet kundër misionit të KFOR-it, ku mbetën të plagosur edhe ushtarë nga kombet tjera.

Reagim për incidentin ka pasur edhe nga ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani. Në Twitter, Tajani shkruan se: “Dua të shpreh solidaritetin me ushtarët e misionit të KFOR-it të cilët u plagosën në Kosovë gjatë përleshjeve mes demonstruesve serbë dhe policisë kosovare. Mes tyre 11 italianë, tre prej të cilëve janë në gjendje të rëndë por jo në rrezik për jetën. Ushtarët italianë vazhdojnë të angazhohen për paqen”.

“Mbrojtja dhe ministri Guido Crosetto shprehin afërsi dhe urojnë shërim të shpejtë për ushtarët italianë, hungarezë dhe moldavë të KFOR-it të NATO-s të lënduar në përleshjet në Kosovë”, thuhet në një postim në Twitter nga Ministria e Mbrojtjes.

Edhe NATO ka dënuar ashpër sulmet. Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të aleancës euroatlantike shkruhet se: “NATO dënon fuqishëm sulmet e paprovokuara kundër forcave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat kanë rezultuar me plagosjen e disa prej tyre”, megjithëse nuk specifikohet as numri dhe as kombësia e viktimave.

“Sulme të tilla janë krejtësisht të papranueshme. Dhuna duhet të ndalet menjëherë. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve të shmangin veprimet që nxisin më tej tensionet dhe të përfshihen në dialog. KFOR-i do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme, siç kërkohet nga mandati i tij i përfshirë në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”, përfundon mesazhi.

Trazirat në Veriun e Kosovës filluan të premten e kaluar kur forcat policore kosovare ndërhynë në komunat Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan për të shpërndarë përfaqësuesit e komunitetit serb të cilët po përpiqeshin të pengonin kryetarët shqiptarë etnikë të hyjnë në komuna.

Rreth 52 persona kanë mbetur deri më tani të plagosur dhe ka dëme të konsiderueshme materiale. Disa makina janë djegur, duke përfshirë të paktën një makinë policie. Kryetarët fitues në zgjedhjet komunale të mbajtura më 23 prill në Veri nuk njihen nga Beogradi dhe komuniteti serb në Kosovë, të cilët bojkotuan procesin zgjedhor.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli asokohe zgjedhjet pas dorëheqjeve masive të paraqitura nga të gjithë zyrtarët publikë të komponentës serbe nëntorin e kaluar. BE nuk hezitoi të dënojë përshkallëzimin mes Beogradit dhe Prishtinës.

Edhe “BE-ja dënon fuqishëm përleshjet që përfshijnë policinë dhe protestuesit në veri të Kosovës, tensione këto që filluan me një përpjekje të kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale.”

Zëdhënësi i Bllokut, Peter Stano tha se: “Ne dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, Eulex, të cilat duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrën e tyre në mënyrë paqësore.”

Fjalë të ashpra kanë ardhur edhe nga Uashingtoni, ndërsa Sekretari i amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se:“Ne dënojmë fuqishëm veprimet e qeverisë së Kosovës të cilat po intensifikojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndalojë menjëherë këto veprime dhe të rifokusohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.”

Jehonë klimës së tensionuar në Veri të Kosovës i ka bërë edhe media tjetër italiane La Repubblica, e cila theksin e ka vendosur tek pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet e 23 prillit, nga ku dolën fitues kryetarët e rinj me etni shqiptare, për shkak të bojkotit zgjedhor të serbëve. “Vetëm rreth 1500 persona votuan” për Ilir Pecin, kryekomunarin e ri të Zveçanit, shkruan La Repubblica.

“Ushtarët e KFOR-it ndërhynë për të shpërndarë protestën kundër zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë në disa lokalitete në veri të vendit, me shumicë serbe. Demonstruesit u përgjigjën duke hedhur gurë dhe shishe molotovë. Të shtënat përfshinë Regjimentin IX Alpin”, nga ku mbetën të plagosur shtetasit italianë.

Top Channel