Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi takoi sot ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Temë kryesore e takimit ishin zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ndërsa iu vu theksi veprimeve të dhunshme dhe kriminale të protestuesve ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe ekipeve të medieve.

Kryeministri Kurti e vlerësoi një protesta aspek paqësore, por me turma ekstremistësh të urdhëruara nga Beogradi zyrtar.

“Grafitet nacionaliste shoviniste serbe dhe aso pro-kremlinit me ekstremistë të maskuar, që targetojnë, vandalizojnë dhe sulmojnë çdo gjë jo-serbe, është treguesi kryesor i motiveve prapa veprimeve të dhunshme, e të cilat duhet të dënohen ashpër nga të gjithë”, shkruhet në njoftim.

Duke i informuar për gjendjen në veri dhe zhvillimet e sotme, Kurti theksoi rëndësinë dhe nevojën për qetësimin e situatës, si dhe shprehu gatishmërinë për të punuar me shtetet e QUINT-in për të arritur këtë qëllim.

Sipas zyrës së shtypit të Kurtit, ata ranë dakord se do të jenë në komunikim në orët dhe ditët në vijim.

Tensionet u rindezën në komunat veriore të Kosovës pasi kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit u kundërshtuan nga serbët lokalë.

Qytetarët serbë protestuan në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit në veri të Kosovës, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe.

Policia e Kosovës ka raportuar se janë arrestuar pesë persona të dyshuar për sulmet dhe dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan. Situata më e tensionuar gjatë gjithë ditës ka qenë në Zveçan, ku u desh ndërhyrja e KFOR-it për të shpërndarë turmën. Disa policisë të KFOR-it kanë mbetur të plagosur pasi u përballën sot me protestuesit, ndërsa këta të fundit kanë sulmuar edhe mediat.

Top Channel