Shtëpia e Bardhë dhe republikanët arrijnë marrëveshje për tavanin e borxhit

28/05/2023 10:55

Shtëpia e Bardhë dhe republikanët kanë arritur një marrëveshje në parim, për të rritur tavanin e borxhit për dy vite dhe për të kufizuar shpenzimet, konfirmoi të shtunën kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy, duke e çuar vendin një hap prapa nga pragu i një falimentimi historik.

Marrëveshja në parim u arrit nga Presidenti Joe Biden dhe McCarthy gjatë një telefonate të shtunën.

Marrëveshja për borxhin, e cila është rritur në 31.4 trilion dollarë, i jep fund ngërçit politik të muajve të fundit. Sipas Reuters, marrëveshja do të rrisë kufirin e borxhit (31.4 trilion dollarë, një rekord botëror) për dy vjet, ndërsa në të njëjtën kohë parashikon kufizime në shpenzimet publike, siç kërkohet nga republikanët, duke përjashtuar ato për forcat e armatosura dhe veteranët.

“Pas javësh negociatash, ne kemi arritur në një marrëveshje në parim. Kemi ende shumë punë për të bërë, por besoj se kjo është një marrëveshje në parim që është e denjë për popullin amerikan”, tha McCarthy gjatë një fjalimi të shkurtër për gazetarët.

“Marrëveshja mbron prioritetet kryesore dhe arritjet legjislative të mia dhe të demokratëve të Kongresit. Marrëveshja përfaqëson një kompromis, që do të thotë se jo të gjithë marrin atë që duan. Kjo është përgjegjësia e qeverisjes.”, tha Biden në një deklaratë.

Nëse marrëveshja përfundon duke kaluar përmes Kongresit dhe nënshkrimi i ligjit nga Biden përpara datës X, Shtëpia e Bardhë dhe republikanët e Shtëpisë do të kenë shmangur një krizë ekonomike të paprecedentë. Një mospagim i qeverisë amerikane, i cili nuk ka ndodhur kurrë, mund të nxisë një recesion global dhe humbjen e miliona vendeve të punës – një skenar që parashikonte një nxitim të minutës së fundit të negociatave të fundjavës së festave.

Marrëveshja dyvjeçare do të shtyjë gjithashtu luftën e radhës për rritjen e tavanit të borxhit deri pas zgjedhjeve të vitit 2024.

Top Channel