Partia Demokratike kërkoi reagim të shpejtë dhe të ashpër të shtetit për sulmin e armatosur ndaj televizionit kombëtar Top Channel ku mbeti i vrarë punonjësi i sigurisë Pal Kola.

Për kryetaren e Komisionit Parlamentar të Medias Flutura Açka zbardhja e këtij akti terrorist dhe dërgimi i autorëve para drejtësisë duhet të jetë prioritet për organet ligjzbatuese.

“Me ngushëllimet e thella për familjen e të ndjerit dhe përcjellë mbështetjen dhe solidarizimin me Top Channel, me gazetarët dhe të gjithë stafin e tyre, ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme, edhe personalisht zotit Çuçi, Policisë së Shtetit, Policisë së Tiranës, të gjejnë sa më shpejt fajtorët dhe t’i çojnë ata para drejtësisë. I bëjmë thirrje Kryeministrit shqiptar, t’i lërë sarkazmat me të dehur e sarhoxhë që shëtisin me kallashnikovë netëve shqiptare në gjueti për terror, dhe ta marrë seriozisht këtë ngjarje të frikshme”, tha Açka.

Ky krim i paprecedentë për demokratët është sulm i pastër terrorist ndaj fjalës dhe lirisë së medias.

“Me ngjyrat, skenarin dhe dhunën e një akti të pastër terrorist, ky sulm duhet të kishte ngritur në këmbë shtetin shqiptar, jo vetëm se ai prek shenjtërinë e një prej pushteteve më të ndjeshme, më të brishta dhe më themelore të demokracisë, por sepse ai dëmton dhe vë në dyshim sigurinë e të gjitha fijeve të komunikimit publik, që është thelbi i fjalës dhe medias së lirë në një demokraci të shëndetshme. Ne i bëjmë thirrje edhe politikës shqiptare, segmenteve të caktuara të saj, të ndalin gjuhën, shpesh shumë të ashpër, shpesh me doza agresive, shpesh plot shpifje e shantazhe, që nuk bëjnë gjë tjetër, veç i krijojnë një parajsë publike dhe një mjedis perfekt për frymëzimin e krimit dhe dhunës në shoqërinë shqiptare”, shtoi Açka.

Krerët më të lartë të shtetit por edhe politikanët nga të gjitha krahët e politikës dhe përfaqësues diplomatik të Shteteve te Bashkuara të Amerikes dhe Britanisë së Madhe  dënuan sulmin brutal ndaj Top Channel duke kërkuar zbardhjen me urgjencë.

Top Channel