‘Range Rover-i’ që përdorën autorët e sulmit ndaj Top Channel, i vjedhur në 2020/ Flet pronari nga Kosova: Ma mori roja i hotelit në Tale (Video)

28/03/2023 13:39

Të tjera detaje zbulohen nga sulmi terrorist ndaj Top Channel, ku humbi jetën punonjësi i sigurisë Pal Kola. Automjeti tip “Range Rover Sport”, me ngjyrë kafe, që u përdor nga autorët në sulmin kriminal, rezultonte i vjedhur prej një turisti kosovar më korrik të 2020, në fshatin Tale të Lezhës.

Përmes një prononcimi për mediet, pronari i mjetit luksoz i identifikuar si Ramadan Nikolli deklaron se mjetin ia kishte vjedhur roja i sigurisë së hotelit 3 vite më parë, dhe se rastin e kishte denoncuar tek autoritetet ligjzbatuese.

 ““Range Rover” me të cilin dyshohet se u sulmua “Top Channel” mbrëmë, ka qenë vetura ime, por që më është vjedhur nga rojtari i sigurisë së hotelit ku po qëndrojë me pushime atëherë,”- ka thënë Nikolli.

“Range Rover”-i u gjet i djegur me dy kallashnikovët e përdorur në krim brenda. Ai është sekuestruar dhe aktualisht ndodhet në drejtorinë e policisë së Tiranës, ku po i bëhet ekzaminimi nga ekspertët për gjetjen e provave.

Sakaq, përveç automjetit, të vjedhura kanë rezultuar edhe targat e mjetit luksoz. Sipas informacioneve zyrtare të dhëna nga Policia e Shtetit, targat “AA 456 HC” ishin vjedhur natën e ndërrimit të viteve në Tiranë.

Top Channel