Xhaçka pret në takim sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së: Bashkohemi me qëndrimin e Schmid për agresionin rus në Ukrainë

24/03/2023 12:17

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka priti këtë të premte në takim Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Schmid.

Agresioni në Ukrainë ishte një nga temat kryesore të bisedës tonë, tha ministrja Xhaçka.

“Konfirmuam edhe një herë qëndrimin e Shqipërisë ndaj agresionit të paligjshëm të Rusisë kundër Ukrainës. Bashkohemi plotësisht me qëndrimin e vendosur dhe parimor të Sekretares së Përgjithshme Schmid, në lidhje me këtë agresion.

Ndamë pikëpamjen e përbashkët se sot më shumë se kurrë, OSBE nevojitet në Ukrainë. Në këtë kontekst, i jemi bashkuar edhe Programit të Mbështetjes së OSBE-së për Ukrainën sepse ajo që ndodh në Ukrainë, ka pasur implikimet e saj në të tre dimensionet e Organizatës.

Shqipëria siç e dini ka luajtur një rol të rëndësishëm diplomatik në Këshillin e Sigurimit dhe kudo që ka pasur një zë, për të mbështetur Ukrainën e për të izoluar Rusinë. Por një nga drejtimet ku ne jemi investuar më shumë ka qenë ai i llogaridhënies dhe drejtësisë për krimet e luftës të Rusisë në Ukrainë.

Ne jemi anëtarë aktivë të grupit të Miqve për Llogaridhënie në Ukrainë, dhe kemi mbështetur e financuar ‘Mekanizmin e OSBE-së për Moskën’, si instrument i rëndësishëm në dokumentimin e provave, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në të ardhmen”.

Në fjalën e saj, Sekretarja e Përgjithshme e OSBE, Schmid, vlerësoi arritjet e Shqipërisë në fushën e politikës së jashtme, si dhe rolin e saj si  anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë të OKB-së. Schmid u shpreh se, Shqipëria është një anëtare aktive dhe e besuar e OSBE-së.

Ministrja Xhaçka i shprehu Schmid vlerësimin për drejtimin nga ana e saj në këto kohë krize të organizatës, si dhe kontributin që ajo dhe OSBE kanë dhënë në avancimin e barazisë gjinore dhe të Agjendës “Gratë, Paqja dhe Siguria”.

Top Channel