Ndiqte ambulancën në shërbim emergjence, heqje patente dhe gjobë për drejtuesin e mjetit 

24/03/2023 16:09

Një drejtues automjeti është ndëshkuar me pezullim leje drejtimi dhe gjobë pasi po ndiqte ambulancën në shërbim emergjence.

Shoferi është kapur nga policia në rrugën interurbane Durrës-Tiranë. Ndaj tij u vendos masa administrative 30000 lekë të rinj si dhe pezullimi i lejes së drejtimit 12 muaj.

Policia Rrugore e Tiranës apelon ndaj drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe konkretisht që mos ndjekin dhe shfrytëzojnë lëvizjen e mjeteve emergjente.

“Tiranë/ Ndiqte ambulancën e cila ishte në shërbim emergjence, procedohet me masë administrative dhe pezullim të lejes së drejtimit drejtuesi i automjetit. Policia Rrugore e Tiranës në vijim të kontrolleve të ushtruara për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, në rrugën interurbane Durrës-Tiranë, ka konstatuar dhe ndaluar një automjet që ndiqte ambulancën e cila ishte në shërbim emergjence. Ndaj drejtuesit të automjetit u vendos masa administrative 30000 lekë të rinj si dhe pezullimi i lejes së drejtimit 12 muaj. Policia Rrugore e Tiranës apelon që drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes në raport me rregullat e qarkullimit rrugor dhe veçanërisht për të mos ndjekur nga afër dhe shfrytëzuar progresionin e lëvizjes së mjeteve të emergjencave, me sisteme zanore dhe pamore ndezur”, sipas njoftimit të policisë.

Top Channel