“Takimi Rama – Sunak, i sforcuar”/ Iljazaj në “Top Story”: Po të kishte mundësi, kryeministri nuk do të shkonte në Londër

23/03/2023 22:26

Kryeministri Edi Rama, nëse do të kishte mundësi, do ta anulonte takimin e sotëm në Londër me Rishi Sunak, do ta kishte bërë, sipas analistit Ervis Iljazaj.

Duke analizuar takimin e Ramës me kryeministrin anglez Rishi Sunak në studion e “Top Story”, Iljazaj shprehet se ishte një takim i sforcuar.

“Unë mendoj që Rama nëse do të ishte e mundur ta shmangte këtë vizitë, do ta shmangte. Atij i është kërkuar të shkojë, dhe nga retorika dhe metaforat e përdorura kështu e shoh. Kam përshtypjen që është një retorikë e përdorur për të mbuluar retorikën e vërtetë të kësaj vizite.

Unë e shoh si të shtrënguar vizitën e Ramës në Britaninë e Madhe. Ka një problem shumë të madh. Ka një gjuhë dhe ka një kërkesë nga Britania e Madhe për të gjitha trafiqet e qenieve njerëzore që po ndodh rreth saj dhe kjo është një kosto politike.

Imagjinoni që një kryeministër, vizitën e parë në Britaninë e Madhe, nuk e bën për një gjë pozitive, por e bën për emigracionin. E bën për të folur për trafiqet e qenieve njerëzore dhe kriminalitetin që ajo sjell pas. Përshtypja dhe ndjesia e parë që më dha ky takim është si një vizitë e shtrënguar”.

Sipas Iljazajt, Rama nuk mund të bëjë asnjë veprim konkret për shqiptarët që jetojnë në Angli.

“Çfarë mund të bëjë Rama konkretisht për shqiptarët atje, besoj se nuk ka ndonjë gjë në dorë. Ose të paktën të kërkojë që të zbatohet Konventa Ndërkombëtare për emigracionin, për emigrantët dhe për azilkërkuesit. Ka disa kushte si trajtohen emigrantët, sa mbahen, trajtimi e me radhë.

Fakti që Britania e Madhe do të bëjë një marrëveshje dypalëshe, do të thotë që këto konventa ndërkombëtare ndoshta mund të anashkalohen”.

Në takimin që u bë me praninë e mediave, sot në Downing Street, dy kryeministrat diskutuan për çështjet e emigrantëve, sigurinë dhe ekonominë. Ata shprehën vullnetin e përbashkët për t’i thelluar ato në të ardhmen, duke forcuar në të njëjtën kohë bashkëpunimin ekonomik, shkëmbimet tregtare, bashkëpunimin në fushën e sigurisë, në mënyrë të veçantë në luftën kundër sulmeve kibernetike.

Në takim u diskutua lufta kundër migracionit të paligjshëm. Sunak përmendi marrëveshjen e arritur në dhjetor të vitit të kaluar.

“Vitin e kaluar kemi nënshkruar një komunikatë për të luftuar migracionin e paligjshëm dhe jam shumë i kënaqur me progresin e bërë në këtë drejtim”, u shpreh Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar.

Ndësa Rama theksoi se duam të sigurohemi që komunitet shqiptar në Britani të ndihet jo vetëm i sigurt, por edhe i nderuar:

“Mollët e kalbura janë objekti ynë i përbashkët për tu luftuar dhe për të fituar këtë betejë. Sa i takon sigurisë ne jemi më shumë se të interesuar për të forcuar bashkëpunimin tonë”.

Top Channel