Shtetasit shqiptarët mund të udhëtojnë drejt Kinës, pa qenë më nevoja të pajisen me viza, duke e bërë hyrjen në vendin aziatik më të lehtë.

Qeveria ka miratuar këtë të mërkurë marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, për heqjen e ndërsjellë të vizave për mbajtësit e pasaportave të zyrtarëve publikë dhe pasaportave të zakonshme.

Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, shqiptarët mund të qëndrojnë pa viza në Kinë deri në 180 ditë. Këtë mundësi qytetarët kinezë e kanë pasur për të hyrë në Shqipëri me viza turistike që prej vitit 2019.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave në Shqipëri për muajin dhjetor të vitit që shkoi, Kina renditet ndër partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë.

Vendimi i Këshillit të Ministrave:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave vendosi:

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, për heqjen e ndërsjellë të vizave për mbajtësit e pasaportave të zyrtarëve publikë dhe pasaportave të zakonshme, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Top Channel