Samiti Ukrainë-Bashkimi Europian, një ngjarje e paprecedentë e kësaj natyre kjo në një zonë lufte, siç është shteti që po përballet me agresionin brutal të Rusisë ka nisur.

Krerët e bllokut u takuan me  presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, me premtimin për sanksione të reja kundër Rusisë. Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbërriti në Kiev të enjten, pas një udhëtimi simbolik me tren për të treguar mbështetjen për Ukrainën, teksa afron përvjetori i parë i pushtimit rus.

“Fakti që ky samit do të mbahet në Kiev është një sinjal i fuqishëm edhe për partnerët, edhe për armiqtë”, deklaroi më herët kryeministri ukrainas, Denys Shmygal. BE-ja ende nuk ka dhënë detaje se kush do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë.

Shefi i Kremlinit, Vladimir Putin, urdhëroi nisjen e pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt 2022, dhe forcat e tij vazhdimisht kanë sulmuar infrastrukturën civile, përfshirë edhe kryeqytetin Kiev.

Vendet e BE-së e kanë mbështetur me vendosmëri Ukrainë që kur Moska nisi pushtimin në shkurt, duke goditur Rusinë me një valë ndëshkimesh ekonomike dhe duke i dërguar asaj armë.

Në samit pritet që të diskutohet plani 10 pikësh i paqes i presidentit  Volodymyr Selenskyj, po ashtu edhe nisma për krijimin e një gjykate speciale për të vënë para përgjegjësisë Putinin dhe bashkëpunëtorët e tij.

Megjithatë, siç theksojnë edhe vete përfaqësuesit e BE-së, qeveria ukrainase nuk duhet të ketë pritshmëri të mëdha sa i përket një perspektive të shpejtë anëtarësimi në bllok.

Top Channel