Dënohet kryebashkiaku i Mallakastrës! Por nuk e lë mandatin: Do ta ndjek çështjen në shkallët e tjera të gjykimit

02/02/2023 13:55

Kryebashkiaku i Mallakastrës Qerim Ismailaj u shpall fajtor nga Gjykata Antikorrupsion.

Ai u dënua me 4 muaj burg të cilat sipas gjykatës konvertohen në 40 orë punë në interes publik.

Më herët, SPAK kishte kërkuar dosjen e kryebashkiakut të Mallakastrës për akuzën e falsifikimit të dokumenteve, pasi Ismailaj  nuk u tregua i saktë në formularin e dekriminalizimit  për një çështje penale të vitit 1999,  të hapur në shtetin grek.

Në këtë procedim , Ismailaj ishte shpallur fajtor për akuzën e përleshjes/konfliktit  dhe megjithatë një e dhënë e tillë nuk ishte shënuar në formular nga ana e tij. Ismailaj u denoncua nga Partia Demokratike dhe letërporosia konfirmoi  kallëzimin e demokratëve.

I pyetur nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha nëse do të tërhiqet nga detyra, ai u përgjigj se do ta ndjekë në shkallët e tjera të gjykimit.

“Kjo nuk e prek ushtrimin e detyrës”, tha Ismailaj, duke u shprehur se shërbimi i provës nuk e pengon të kryejë detyrën në krye të bashkisë.

Top Channel