Incidentet në Kuvend, reagon Rama: Abuzim total me lirinë e fjalës, të vërtetën, dëshpërim elektoral

02/02/2023 14:00

Sherrin e demokratëve  në Parlament  Edi Rama zgjodhi  të ndiqte përmes ekranit të televizorit, ndërkohë  në rrjetet sociale hodhi poshtë  akuzat që ngrihen prej ditësh në adresë të tij për lidhje me ish agjentin e FBI-së Charles McGonigal.

Duke i konsenderuar të pavërteta sulmet e demokratëve  kryeministri këmbëngul se  hetimet e drejtësisë amerikane nuk kanë asnjë lidhje me pretendimet të opozitës shqiptare.

Një abuzim total me lirinë e fjalës, me të vërtetën, me publikun, në një dëshpërim total moral, politik, elektoral, ku me shpifje ekstreme synohet manipulimi i opinionit me një çështje të hetuar nga drejtësia amerikane që ka shkuar në gjykatë e që s’ka asnjë lloj lidhje me ne këtu! Kush i ka dy fije mend e kupton se ç’është e tërë kjo histeri vetëgjyqësie politike e mediatike, mbi një gjyq në Amerikë për një zyrtar të FBI të cilin drejtësia e non-gratave këtu pretendon se është korruptuar nga unë, ndërkohë që drejtësia amerikane s’ka asnjë akuzë a pretendim”, shkruan Rama.

Në vlerësimin e Kryeministrit, marrëdhëniet shqiptaro amerikane janë më të forta se kurrë duke i konsideruar qëndrimet e opozitës fyese

 “Kjo është një tallje e madhe dhe e shpifur e politikës pa din e as iman me ata që i shkojnë mbrapa kësaj politike figurash të diskredituara, të cilët duan të mbulojnë diellin me shoshë, ndërkohë që marrëdhëniet tona me SHBA dhe institucionet amerikane janë më të forta se kurrë”, shkruan Rama.

Ndonëse gjyqi ndaj ish zyrtarit të FBI po  zhvillohet ne Shtetet e Bashkuara të Amerikes, opozita kërkon  që të ketë hetim parlamentar edhe në Shqipëri.

Top Channel