Devijimi i hetimeve për Ahmetajn/ Si u mbyll sërish nga SPAK, me të njëjtat argumente për të shpëtuar ish Ministrin

27/12/2022 15:04

Pa kaluar as dy javë, Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion, mbylli hetimet në mënyrë të përshpejtuar ndaj dy prokurorëve Ened Nakuçi dhe Klodian Braho, të cilët akuzoheshin nga gazetari Adriatik Doçi se kanë devijuar hetimet dhe kanë shpërdoruar detyrën, pasi kanë fshehur provat kompromentuese për ish zv. kryeministrin, Arben Ahmetaj.

Gazetari Doçi denoncoi fshehjen e e-maileve nga kompjuteri i Klodian Zotos, që vërtetonin pagesa disa mijëra euro për hotele të paguara për llogari të Arben Ahmetajt dhe bashkëjetueses së tij Erjola Hoxha.

Në njoftimin e SPAK, thuhet se ndaj dy prokurorëve është vendosur mos fillim i procedimit penal, duke argumentuar se hetimi vijon i ndarë në 4 akte të tjera.

Pjesë nga dosja e Prokurorisë së Posaçme, SPAK

Nëse i hedhim një sy katër akteve që janë ndarë për hetim nga prokurorët Braho dhe Nakuçi, emri i Arben Ahmetajt apo Ministrisë që ai drejtonte, nuk figuron në asnjë vend.

Të vetmet Ministri të përfshira në aktin 277/2, janë të Mjedisit dhe ajo e Energjisë dhe Industrisë, në atë kohë në varësi të Damian Gjiknurit.

Pjesë nga dosja e Prokurorisë së Posaçme, SPAK

Pra, e thënë më qartë, vetë SPAK ka mbrojtur qëndrimin e prokurorit Klodian Braho dhe Ened Nakuçi, të cilët jo vetëm nuk e kanë përfshirë në hetimet Arben Ahmetajn, por ai nuk është marrë kurrë në pyetje nga këta prokurorë për hetimet e inceneratorëve.

Në hetimet prej 13 ditësh për këtë skandal që është përfshirë Ahmetaj, SPAK nuk sqaron nëse janë bërë verifikimet në kompjuterin e Klodian Zotos, dhe a janë përfshirë këto fatura për ish Ministrin e Ekonomisë.

Nxitimi për të mbyllur këtë hetim, ngre dyshime nëse Ahmetaj do të merret i pandehur, pasi figuron që ka firmosur disa dokumente si Ministër i Zhvillimit Ekonomik, ku ka shprehur dakordësinë për dhënien me koncesion të Inceneratorit të Elbasanit dhe atij të Fierit.

Top Channel