Ahmetaj jashtë, e pajustifikueshme/ Juristët kritika për SPAK: Shkeli precedentin me hetimin e inceneratorëve

23/12/2022 15:03

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që prej gushtit të vitit 2020 po heton çështjen e inceneratorëve dhe vetëm pak ditë më parë çoi në gjykatë si të akuzuar 21 persona, ku u bë fakt se ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj mbeti jashtë përgjegjësisë ligjore, pavarësisht se në dosje provat kundër tij janë të dukshme.

Sipas juristëve kjo vonesë e SPAK për të mos thirrur Ahmetajn është e pa justifikueshme.

“Të shmangësh veprimet që përmbajnë dyshimin e arsyeshëm se funksionarë të lartë publik kanë ndërmarrë gjatë veprimtarisë të tyre publike nuk është diçka e pranueshme. SPAK duhet t’i jepte vëmendjen e duhur për pasojë duhet të jenë të justifikuara çështje rrethana dhe fakte të caktuara nuk janë administruar dhe vlerësuar”, tha avokati Isuf Shehu.

SPAK konsideroi si provë biletat dhe dhomat e hotelit që Klodian Zoto i dhuroi Etleva Kondit tashmë në bankën e të akuzuarve në GJKKO por nuk mbajti të njëjtin qëndrim për Arben Ahmetajn, pavarësisht se provat janë të njëjta. Sipas juristëve në këtë rast SPAK po shkel precedentin.

“Procedimi gjyqësor ka në thelb të tij ligjin dhe precedentin në qoftë se prokuroria ka mbajtur një qëndrim të caktuar në lidhje me një fenomen e sjellje të funksionarëve, detyrimisht të njëjtat prova duhet të administrohen edhe për funksionarë të tjerë”, u shpreh avokati.

Dy prokurorët e SPAK, Klodian Braho dhe Ened Nakuci, mbyllën dosjet e hetimit për të akuzuarit për korrupsion me inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit.

Por në dosjen hetimore ata nuk prekën faktet kompromentuese për ish-ministrin Ahmetaj të cilin as nuk e kanë pyetur.

SPAK lajmëroi se do ketë një hetim të dytë, por deri më tani nuk ka shenja të qarta se ky hetim po bëhet sepse Arben Ahmetaj ende nuk është marrë në pyetje.

Top Channel