Mjeku Ilir Alimehmeti hoqi dorë nga balotazhi duke i lënë rrugë të lirë Belind Këlliçit si kandidat i opozitës përballë Erion Veliaj në Bashkinë e Tiranës.

“Anëtarësia foli dje për Këlliçin. Respektoj vendimin”, tha Alimehmeti.

Ilir Alimehmeti: Më pak se 24 orë, kur anëtarësia e Tiranës shprehu me votë për herë të parë me dëshirën e saj se kë do të donte për kandidat në zgjedhjet vendore për Bashkinë Tiranë dhe respekt votës së anëtarësisë, falenderoj çdo votues e numërues dhe çdo organizues, për një proces që shkoi nga fillimi në fund pa asnjë vërejtje, i cili u numërua me transparencë të plotë brenda një kohe shumë të shkurtër. Nga fillimi i këtij procesi isha i bindur që ishte anëtarësia ajo që duhet të shprehej dhe nuk duhet të kalohej nga vota e simpatizantëve, edhe pse kam patur vërejtje për këtë. Kam qenë i bindur se ishte anëtarësia që duhet të kishte rolin kryesor. Dje anëtarësia foli në favor të kandidatit pranë meje, Belind Këlliçit, djalë i shkëlqyer, bashkëshort i devotshëm, nga ana politike ju e njihni mjaft mirë. Kështu që më shumë nuk do të shprehem. Iu kam dalë zot që sido të shkonte do isha në krah të kandidatit apo kandidates, në këtë rast kandidatit që do gëzonte votën e shumicës dhe anëtarësisë. Dhe kjo është shenja e parë e qytetarisë. Të njohësh votën, ta kuptosh atë, ta lexosh atë si duhet dhe të shprehesh prej saj. Falenderoj gjithkënd që më ka mbështetur, ka qenë një kënaqësi e madhe të punoj me ju dhe do të vazhdoj të punoj me ju përkundrejt fitores të datës 14 maj të vitit 2023. 

Me një zë jo shumë bindës, Alimehmeti harroi të shqiptonte fjalën tërheqje, por fjalët e doktorit i plotësoi shumë shpejt sfidanti tjetër Belind Këlliçi.

Belind Këlliçi: Kushdo që ka patur pritshmëri për primaret e organizuara në PD, kam përshtypjen që edhe më optimistët sot janë befasuar, nga ky standart që vednoset për herë të parë në politikën shqiptare. Unë gjej rastin të falenderoj të gjithë anëtarët, sikurse e tha edhe doktor Alimehmeti. Edhe unë fokusin kryesor e kam patur tek anëtarësia, tek baza e PD në këtë fushatë, e cila nuk ka qenë një fushatë e lehtë, por e cila ka qenë tërësisht një fushatë civile, qytetare, ku kemi kemi prezantuar platformat tona të shtatë kandidatët.

Sot ne jemi dy kandidatët më të votuar, që jemi shpallur në një garë në balotazh, jemi sërish me njëri tjetrin. Jam i bindur që ky është një ogur i mirë për klasën politike shqiptare dhe për modernizmin e mëtejshëm të partive politike shqiptare. Jam krenar që kam qenë pjesë e procesit të Primareve në PD, të organizuara për herë të parë dhe me këtë standart, dhe për ta çuar në një standart më tutje dhe për të sjellë një risi në skenën politike shqiptare në sot do të adaptojmë një model amerikan të garës. Modeli i garimit presidencial, ku të gjithë shikuesit, ata që na ndjekin, jam i bindur që e shohin që në SHBA kur zhvillohen garat, garon kandidati për president, së bashku me krahun e tij të djathtë për zv.president.

Unë kam kënaqësinë më të madhe sot, dhe ua them me bindje absolute që kur i kam hyrë këtij rrugëtimi, kam qenë i bindur që në 14 maj nëse do t’ja dilja, do ta mundja Erion Veliajn dhe do ta mund. Por sot nuk jam më unë, por jemi ne, së bashku me dr. Alimehmetin në krahun tim të djathtë, si krahun tim të djathtë në këtë fushatë dhe pas 14 majit nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, dhe jam i bindur që çdo qytetar i Tiranës do të ketë arsye shumë herë e më shumë për të na besuar në votëmodelin që ne do të sjellim. Një model krejt ndryshe nga ai i Rilindjes, nga ai i Erion Veliajt në kryeqytet dhe një model që do të sjellë shpresë për të gjithë klasën politike shqiptare.

Unë gjej rastin të falënderoj këtu sot dr. Alimehmetin, të cilin kam patur fatin ta njoh përpara angazhimit tonë politik. Është fisnik, dhe jam i bindur që gjithmonë do të mbetet një fisnik, dhe e fisnikëroi edhe më shumë garën. Jam i bindur që në përballjen e 14 majit, jam i bindur që qytetarëve do t’ju sjellim një model të bërit politikë krejt ndryshe me civilitet, me qytetari, me program, me pozitivistet. Jam i bindur që do të çrrënjosim një model të tmerrshëm që është uzurpuar dhunshëm në Bashkinë e Tiranës në këto 8 vite.

Gjej rastin të falenderoj ata 8470 demokratë që dolën ditën e djeshme, edhe pse në kushte shumë të vështra atmosferike për të votuar. Komisionerët, vëzhguesit, degët e PD që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme ditën e djeshme dhe kanë sjellë këtë standard, është një standard shumë i lartë kam përshtypjen për të gjithë politikën dhe të gjitha partitë politike shqiptare.

Gjej rastin edhe njëherë të falënderoj edhe 5 kandidatët e tjerë që e fisnikëruan dhe e zbukuruan këtë garë edhe më shumë. Jam i bindur që tani së bashku me Ilirin ne do të kemi mundësinë të ulemi edhe me kandidatët e tjerë, për të kompozuar kështu edhe një mozaik më të plotë të një ekipi, sepse kemi dhënë një premtim që në 14 maj të shtatë do të garojmë përballë Erion Veliajt, dhe të shtatë do të jemi përball Erion Veliajt dhe më pas me të gjithë faktorët brenda PD, brenda opozitës së bashkuar dhe gjithë faktorët politikë që duan t’i bashkohen ekipit tonë në përballjen e 14 majit.

Sfidantet e Tiranës shtrënguan duart pas paktit për të bashkëdrejtuar bashkinë në rast fitoreje, por procesi nuk prodhoi të njëjtën eufori në Bashkitë e tjera.

Lufta brenda llojit rezultoi të jetë më e ashpra në Bashkinë Kamëz. Kandidatët Shemsi Premçi dhe Asllan Dogjani që në nisje të procesit ngritën alarmin se listat e demokratëve ishin mbushur me socialistë, ndërsa pretenduan vjedhje masive votash brenda së njëjtës familje.

Procesi u shoqërua me akuza nga veriu në jug për garë të përcaktuar dhe orientim vote, duke u pasuar më dorëheqje masive kandidatësh. Sipari i tërheqjeve nisi nga Tropoja e Sali Berishës ku kandidatja Feride Rrahmanaj pretendoi se 600 demokratë ishin zhdukur në mënyrë të beftë nga lista e anëtarësisë. Por, jo vetëm problemet me listat. Favorizimi i kandidatëve të Ilir Metës zhgënjeu demokratët e Kuçovës. Kreu i degës Myslim Haxhi dhe kandidatja u Brikena Koroveshi u tërhoqën nga procesi.

Për shkak të garancive të munguara për procesin, në shenjë proteste për zgjedhjet, kandidati për Bashkinë e Sarandës Armando Magllara, deklaroi divorcin përfundimtar me Partinë Demokratike duke lëshuar akuza të forta për Sali Berishën dhe Flamur Nokën, të cilët sipas tij e prenë në besë.

Mungesa e transparencës shoqëroi jo vetëm nisjen e procesit, por edhe mbylljen e tij. Demokratët të cilët u ftuan të merrnin pjesë në zgjedhjet e së dielës nuk e dinë ende sesa votues ishin anëtar me tepër partie dhe sa prej tyre ishin simpatizantë që nuk shquhen për kontribut në Partinë Demokratike.

Top Channel