I përfshirë në një vrasje në Belgjikë dhe disa të tjera në Shqipëri, arrestohet në Holandë 35-vjeçari (Emri)

30/11/2022 16:38

Një 35-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi dyshohet se është përshirë në disa vrasje, është arrestuar në Holandë.

Eljo (Ervis) Bitri, i njohur ndryshe me emrin Bledar Debrova, nga Elbasani, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Bitri u kap në Leiden të Holandës, teksa qarkullonte me pistoletë me silenciator dhe mbante dokumente me identitet tjetër.

35-vjeçari kërkohej dhe nga autoritetet belge për veprën penale “Vrasje me paramendim”. Konkretisht, ai dyshohet si autor i vrasjes së Arjan Spahiut, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2020 në Belgjikë.

Arjan Spahiu

Eljo Bitri akuzohet për një sërë veprash penale në Shqipëri. Brenda vitit 2020, emri i tij është lakuar në disa vrasje dhe krime të tjera në vend. Emri i tij doli në dosjen ‘Plumbi i Artë’ nga të penduarit e drejtësisë Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj.

Në janar të vitit 2020, dyshohet se 35-vjeçari ka vendosur një sasi lënde eksplozive në shtëpinë e Mustafa Subashit.

Ai dyshohet se është përfshirë në vrasjen Dorian Shkozës e Anxhelo Avdisë. Shkoza dhe Avdia u vranë më 2 mars 2020 për larje hesapesh që lidhen me prishjen e pazareve të drogës. Dyshohet se katër autorë bashkëpunuan për këtë atentat të dyfishtë. Dy autorë u arrestuan në maj të vitit 2020, ndërsa Bitri u shpall në kërkim.

Po ashtu, ai dyshohet si bashkautor në vrasjen e Emiliano Ramazanit në korrik të vitit 2020.

Konflikte, 35-vjeçari ka pasur dhe me të shumëkërkuarin e policisë, Talo Çelën. Në nëntor të vitit 2020, ai akuzohet se ka vendosur eksploziv në shtëpinë e Çelës.

Lexo më shumë: I shumëkërkuar nga policia, shpërthim me tritol në banesën e Talo Çelës

Eljo (Ervis) Bitri alias Bledar Debrova dyshohet se krijoi kushtet për eliminimin e Sokol Sanxhaktarit, një atentat ky i dështuar.

Top Channel