Të 10 të arrestuarit si trafikantë dhe anëtarë të grupit kriminal shqiptaro kolumbian, i mohuan akuzat dhe këmbëngulën se nuk kishin lidhje me 430 kilogramët e kokainës.

Por prokurori i SPAK që ndoqi për disa muaj bashkë me agjencitë e huaja rrugëtimin e kokainës drejt Fierit këmbëngul se provat tregojnë të kundërtën.

34-vjeçari Nikolin Gjolena, një biznesmen në fushën e ndërtimit vlerësohet si financuesi dhe mes organizatorëve, por ai nuk është i vetmi dhe as njeriu kryesor në narkotrafikun me vlerë 40 milionë euro.

Ndërtuesi shfaqet në përgjime dhe vëzhgime ambientale theksojnë burimet teksa paletat me pleh organik po ndiqnin linjën Kolumbi, PIRE- Mal i Zi Shqipëri.

Për të siguruar kalimin pa probleme të ngarkesës dhe ngritjen e laboratorit, Gjolena shfrytëzoi miqësinë e ngushtë me Denilson Çervanakun , një 25-vjeçar i cili i hapi derën e të atit Viktorit dhe xhaxhait Zeneli.

Madje edhe partnerja e tij, që ka edhe shtetësi gjermane  gjermane dyshohet se u implikua në një rast duke u kujdesur që banesa të ruhej me armë

Për muaj me radhë hetuesit dyshuan se 30-vjeçarja ishte përkthyese dhe se po kujdesej për dokumentacionin. Por me kalimin e javëve u kuptua se Ferhati kishte dijeni në lëvizjet e grupit dhe se po ashtu po kryente veprime konkrete

Nën akuzën e grupit kriminal dhe trafikut, 10 të dyshuarit e laboratorit të Frakullës u lanë nën arrest me burg. Edhe pse ata këmbëngulën që duhej kryer ekspertiza e plehut organik dhe se asnjëri prej tyre nuk kishte dijeni për kokainën. Por qëndrimi mohues i familjes Çervanaku bie poshtë nga vizita në shtëpinë e tyre të kolumbianit Zaimir Rodrigez.

Ai udhëtoi i shoqëruar nga të dyshuarit e tjerë që udhëtojnë të armatosur dhe hyri në banesë për të marrë mostër nga plehu organik ku ishte tretur kokainë. Teksa po kthehej nga shtëpia në fjalë në dalje të fshatit, po i priste një postbllok policor që u prezantua si policia rrugore.

Ky postbllok ishte ngritur me urdhër të SPAK dhe qëllimi ishte identifikimi i njeriut që po udhëtonte me të rinjtë e armatosur. Për të justifikuar postbllokun policia rrugore ju vendosi atyre një gjobë për shkelje të rregullave të qarkullimit, përmendet në dosje.

Gjykata ka urdhëruar ndalimin e publikimit të akteve, kurse grupi i hetimit i thotë Top Channel se për trafikimin e 430 kg kokainë, ka edhe persona të tjerë nën hetim që kanë rolin e organizatorit. Disa prej tyre thuhet se aktualisht gjenden në Kolumbi dhe të tjerët në Tiranë.

Top Channel