Zgjedhjet vendore/ Meta pas takimit në selinë e PD: I propozova një emër Berishës për parlamentin e Tiranës, është super-politikan!

26/10/2022 10:38

Për rreth një orë, Sali Berisha dhe Ilir Meta zhvilluan sot një tjetër takim në selinë e PD, me në fokus zgjedhjet e ardhshme vendore.

Meta tha për mediat para selisë blu se i ka propozuar Berishës një emër për kryetarin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, të cilin tha se kreu i PD e ka mirëpritur.

Ndërsa u tregua i rezervuar të zbulojë emrin, kreu i Partisë së Lirisë e cilësoi atë si “super-politikan”, por se cili do të jetë ai do të zbulohet në ditët në vijim, tha Meta.

Ai shtoi se do të respektohen primaret e Berishës dhe se në disa zona do të fusë edhe Partia e Lirisë kandidatët e tyre në primare.

Jemi një sintoni të plotë. Kryetar i ardhshëm i bashkisë, i opozitës së vërtetë dhe kryetari i ardhëm i parlamentit do të bëjë një spektakël të jashtëzakonshëm në pak muaj. Ne si Parti e Lirisë kemi kandidatë që premtojnë, do t’i përfshijmë në primare të përbashkëta me PD dhe parti të tjera të opozitës. Kandidatët duhet të respektojnë njëri tjetrin, ndryshe do përjashtohen nga gara.

Nuk pasur asnjë diskutim për emrin që do jetë në Tiranë dhe kudo tjetër se ky është një proces që i takon primareve. Ne do të respektojmë kandidaturat.

I kam propozuar një emër për kryetar të parlamenit në Tiranë dhe ai e mirëpriti. Çdo të hënë do të ketë Këshill Bashkiak për të dëgjuar qytetarët. Do e shihni shumë shpejt. Është super-politikan, Berisha e mirëpriti”- tha Meta për gazetarët.

Ndërkohë, ditën e nesërme në mesditë pritet të firmoset një marrëveshje mes Ilir Metës dhe Sali Berishës për zgjedhjet e 14 majit, sa i takon kandidatëve për kryetar bashkie dhe këshillit bashkiak.

Brenda 24 orëve pritet të caktohet edhe një datë për nisjen e protestës kombëtare të përbashkët të paralajmëruar nga dy palët.

Top Channel