Bllokimi i WhatsApp-it paraditen e sotme i shkaktoi shqetësime përdoruesve të tij, të cilët nuk kanë qenë në gjendje as të dërgojnë e as të marrin mesazhe në aplikacionin tejet popullor.

Downdetector, një faqe interneti që gjurmon ndërprerjet në internet në mbarë globin, tregoi një rritje në numrin e përdoruesve që raportojnë ndërprerjen e WhatsApp.

Downdetector thotë se pati me mijëra raportime. Përdoruesit ankoheshin se nuk arrinin të dërgonin mesazhe, e në rastin kur ato duket se niseshin, aplikacioni nuk arrinte të nënvizonte statusin e dorëzimit.

Zëdhënësi i Metës reagoi duke thënë se: “Jemi të vetëdijshëm se disa njerëz aktualisht kanë probleme me dërgimin e mesazheve dhe po punojmë për të rivendosur WhatsApp për të gjithë sa më shpejt të jetë e mundur.”

Ndërprerje te ngjashme, WhatsAppi i raportoi edhe tetorin e vitit të kaluar. Asokohe, u tha se nuk kishte dëshmi se mund të ketë qenë i përfshirë ndonjë aktivitet i qëllimshëm keqbërës, me pak fjale asgje qe te sugjeronte se “mund të bëhej fjalë për një sulm kibernetik”.

Ndikimi megjithate qe i dukshëm për shumë prej gati 3 miliardë përdoruesve të Facebook-ut, duke nxjerrë edhe një herë në pah sesa e varur është bërë bota nga ai dhe pjesët përbërëse të tij – për të udhëhequr biznese, për t’u lidhur me komunitetet virtuale, për të hyrë në një mori faqesh ëebi e madje edhe për të porositur ushqim. Përvec WhatsApp-it, Meta ka në pronësi edhe platforma të tjera si Instagrami.

Top Channel