Vdekja 32-vjeçarit/ Berisha akuzon policinë: I morën shpirtin në një mënyrë shtazore! Qesja në stomak, si revolja në pellg për Rashën

20/10/2022 16:30

Pasi nuk iu dha fjala në Kuvend, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka folur për mediat në ambientet e jashtme të Parlamentit. 

Ai komentoi vdekjen e të riut Laert Kurti, i cili humbi jetën ditën e sotme teksa po transportohej nga rajoni i policisë në drejtim të spitalit.

Berisha tha se kishte burime se 32-vjeçari kishte humbur ndjenjat gjatë rrugës që po transportohej për në komisariat dhe se uniformat blu i morën jetën në mënyrë shtazorë.

Nuk ka sesi, nuk janë rastësi këto përsëritje periodike, policia është e mbushur me vrasës e trafikantë, me patronazhistë e kriminelë. Të marrësh vrasjet që kanë ndodhur nga policia për 18 muajt e fundit janë më të shumta se në Amerikë dhe në Europë. Sot është protesta kombëtare e universiteteve, shpreh solidaritetin më të madh për pedagogët që janë ngritur në një protestë kombëtare, për kërkesa elementare. Në këtë rast i kërkoj Ramës të plotësojë me urgjencë kërkesat e universiteteve, nuk është grevë e PD-së por e mbështet çdo kauzë të drejtë e do të bëje gjithçka për përmbushjen e kërkesave të tyre. Një përshëndetje të përzemërt dhe I garantoj të jenë të sigurt. Policia gënjen, siç tha për Klodian Rashën. Prisni kur të thonë se në një pellg ishte një revole. E kanë ndjekur, e kanë kapur e kanë future në makinë, janë sjellë shtazërisht me të dhe një burim më thitë se në komisariat e kanë sjellë të vdekur, pastaj me një makinë policie e kanë dërguar gjoja në spital. Po të lexoni komunikatën gjithçka tregon se i morën shpirtin në një mënyrë shtazore. PD -ja po i përgatit protestat. Janë dhënë udhëzimet për protesta masive” – tha Berisha.

Pasi Prokuroria e Tiranës së bashku me Agjencinë e Mbikqyrjes Policore dolën në përfundimin se në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5×5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike, ka ardhur një reagim i dytë nga Sali Berisha.

Duke e paralelizuar rrethanën me vrasjen e Klodian Rashës, Berisha thotë se kokaina në stomakun e tij është e njëjte me ‘revolen në pellg’ pranë vendit ku u vra Rasha.

Sipas Berishës, ministri Çuçi mashtroi me komunikatën që i riu vdiq në spital ndërkohë që spitali deklaroi se i ndjeri u soll i vdekur. Shqetësimi i dytë që ngre Berisha është mënyra sesi iu bë autopsia viktimës ‘në orën 5 të mëngjesit me një ekspert të vetëm, nderkohë që duhej bërë vetëm 12 orë pas vdekjes dhe jo me një, por me një grup ekspertësh’.

Vrasja për së dyti e Lear Kurtit nga bandat me uniformë Rama-Çuçi. Kokaina në stomakun e tij, si revolja në pellg e Klodian Rashës! Të dashur miq,  Në një akt makabër, për të fshehur gjurmët e krimit të shëmtuar, Edi Rama dhe ministri i tij i familjes Bledi Çuçi janë vërsulur në mënyrën me kriminale për të përdhosur viktimën. Kështu, ata:

1- mashtruan me komunikata që i riu vdiq në spital ndërkohë që spitali deklaroi se i ndjeri u soll i vdekur në spital,

2- në kundërshtim flagrant me ligjin, ata i bënë të ndjerit autopsi në orën 5 të mëngjesit me një ekspert të vetëm nderkohë që autopsia duhej bërë vetëm 12 orë pas vdekjes dhe jo me një, por me një grup ekspertësh.

3- Në një akt kriminal ata i ‘gjetën’ në stomak një qese plastike me kokainë, pra njësoj si revolja në pellg për Klodian Rashën.

Duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmeve të viktimës, dënoj si vrasje për së dyti krimin e shëmtuar të përdhosjes dhe manipulimit të viktimës së vrasjes shtetërore Leart Kurti dhe kërkoj largimin e menjëhershëm nga detyra të ministrit të familjes, Çuçi dhe ndëshkimin shembullor të xhelatëve që i morën shpirtin dhe atyre që e vranë për së dyti viktimën me manipulimet e tyre”- shprehet Berisha.

 

Top Channel