Tensione në Kuvend/ Berisha insiston të marrë fjalën në foltore pas Ballukut! Kërkon 1 minutë heshtje për 32-vjeçarin, Noka tone të larta ndaj drejtueses

20/10/2022 10:52

Ka nisur me tensione e debate seanca e ditës së sotme në Kuvendin e Shqipërisë, ku pas fjalës së Ballukut, e cila komentoi rreth krizës energjitike dhe punës së qeverisë në zgjidhje të këtij problemi, fjalën e ka kërkuar me insistim kryedemokrati Sali Berisha. 

Zv. drejtuesja e Kuvendit Ermonela Felaj nuk ka pranuar t’ja japë fjalën Berishës, pasi sipas saj një gjë e tillë nuk përkonte me rregulloren e ditës së sotme.

Kjo gjë ka acaruar Nokën dhe Berishën, ku ky i fundit nuk u largua nga foltorja për disa minuta dhe kërkoi një minutë heshtje për vdekjen e 32-vjeçarit që humbi jetën teksa po transportohej nga rajoni i policisë në spital.

Balluku: Ju e morët sistemin e bëtë copash, morët hidrocentralët i privatizuat dhe nuk bëtë asgjë për sistemin energjitik. Këto janë projekte që kanë nisur dhe me partner të fuqishëm. Shqipëria ka nisur Skavicën, që është vepra më e rëndësishme hidrike në Republikën e Shqipërisë. Është në vitin e dytë të projektit. Nëntë muaj nga sot do të fillojnë punimet në terren. E latë kredinë për termocentralin e Vlorës që po paguhet ende sot nga ne. Ne e kemi kthyer në projektin më të lëngshëm të Ballkanit. Ky është një projekt me të cilin nuk krenohemi vetëm ne por edhe partnerët tanë amerikanë. Kemi nisur ndërtimin e parkut më të madh fotovoltaik me kompaninë franceze voltalia. Shqipëria synon në 2030 të rrisë kapacitetet e saj, do ta bëjmë këtë vend një eksportues neto, ndryshe nga një importues që është sot. Ky është ndryshimi ne nga ju.

Berisha niset drejt foltores, kërkon një minutë heshtje për vdekjen e 32-vjeçarit.

Ermonela Felaj: Zoti Berisha nuk jua dhashë fjalën, uluni në vend.

Berisha largohet nga foltorja.

Top Channel