Duhet të ishin në auditore duke dhënë mësim, duke qenë se viti akademik ka nisur vetëm 4 ditë më parë, po pedagogët sot, kanë mbushur sheshin përpara universitetit Politeknik në Tiranë.

Pedagoget nuk dorëzohen përballë qeverisë.

Që prej më shumë se një muaji sindikata e universiteteve përsërit kërkesat e palënkundura për të kthyer dinjitetin e pedagogëve me dyfishimin e pagave dhe investimin në kërkimin shkencor edhe kushtet infrastrukturore.

Gjatë protestës kombëtare në korpusin universitar këtë të enjte, Pedagogu i ri i arteve Harri Aleks në një thirrje publike drejtuar kryeministrit i kujton kostot e mësimdhënies që nuk mbulohen nga rrogat aktuale.

Në mbështetje të lëvizjes së profesoratit ishin edhe studentët, të cilët shprehën gatishmërinë për të sakrifikuar mësimin në këmbim të cilësisë së diplomës.

Në të njëjtën kohë që mbahej protesta, ministrja e arsimit në takim me rektorin e mjekësisë tregoi se bojkoti i mësimit nuk ndodhte në të gjitha fakultetet.

Kreu i sindikatës, Sandër Kovaci u shpreh se drejtuesit e universiteteve nuk duhet të jenë përçarësit e profesoratit përballë qeverisë, por duhet të reagojnë sepse pa plotësuar të drejtat e tyre, universiteti nuk ka të ardhme.

Top Channel