“Koha juaj ka marrë fund!”/ Paralajmërimi i fortë Yuri Kim: I mbushët xhepat tuaj të miqve, të fëmijëve. Ndaluni!

20/10/2022 10:43

Dhe 30 vjetori i Gjykatës Kushtetuese u shfrytëzua për të folur edhe njëherë për të pandëshkueshmit në Shqipëri.

“Siç e themi shpesh, reforma në drejtësi nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por po ecën përpara dhe po fillon të japë rezultate reale. Ata që e kundërshtojnë këtë ecje përpara, ata që nuk do të donin rezultate të prekshme, po i dyfishojnë përpjekjet e tyre. Ata do të donin ta tërhiqnin zvarrë Shqipërinë në të kaluarën, në një kohë kur gjyqtarët dhe prokurorët mund të bliheshin, apo kërcënoheshin, në një kohë kur qytetarët e zakonshëm shqiptarë nuk e besonin se mund të ekzistonte drejtësia në gjykatë, se ata mund të kishin pushtetin, paratë, apo lidhjet për të ndërtuar një jetë për veten e tyre në këtë vend, për veten dhe fëmijët e tyre. Prandaj, të gjithëve ju, juve që doni të zvarritni Shqipërinë prapa në të kaluarën, ta zvarritni atë me shkelma e ulërima, me njerëzit që vuajnë, juve them: Ndalni. Ndalni. Kohës tuaj i ka ardhur fundi”, tha Yuri Kim.

Nga nisja e reformës më të thellë në drejtësi, çka presin ndërkombëtarët ëahtë jo vetëm një gjyqtar dhe prokuror i pa korruptuar, por edhe i palëkundur.

“Koha e të bërit telefonata, e të dërguarit emisarë, e të dërguarit dhurata, e kërcënimeve për të zbuluar sekrete të errëta nga një e kaluar e shëmtuar, e premtimit të dhuratave, të cilat nëse pranoheshin, hidhnin bazat për një tjetër sekret të errët, për një tjetër të ardhme të errët. Ajo kohë ka marrë fund. Ju i shijuat privilegjet tuaja, ju e shijuat imunitetin tuaj, i mbushët xhepat tuaj, i mbushët xhepat e fëmijëve tuaj, të miqve tuaj! Ndalni, ka marrë fund! Koha juaj ka marrë fund!”, u shpreh Yuri Kim.

Këtë të premte e dërguara e Washingtonit në Tiranë pritet të rikthehet sërish në godinën e qelqtë, aty ku kanë zyrat SPAK, BKH dhe gjyqtaret antikorrupsion.

Këtyre të fundit pritet tu japë mesazhin e radhës. Fakt është që dhjetë ditët e fundit ambasadorja amerikane ka qenë e drejtpërdrejtë për kërcënuesit, shantazhuesit e drejtësisë nga njëra anë dhe njerëzit e drejtësisë që nuk duhet të stepen.

Por se cili është identiteti i të dyja palëve mbetet e paqartë. E qartë është se zonja e diplomacisë duket se po flet për ngjarje që janë në zhvillim e sipër.

Top Channel