Çështja “Babale”/ Shtyhet sërish seanca. Salianji: Drejtësia duhet të jetë më e vendosur. Deputetët në sallë? Inkurajim, jo presion

17/10/2022 11:26

Seanca gjyqësore ndaj deputetit demokrat Ervin Salianji për dosjen “Babale” që ishte caktuar të mbahej këtë të hënë, u shty në një datë tjetër, më 9 nëntor.

Mungesa e avokatit u bë shkak për shtyrjen e procesit.

Në një prononcim për mediat, deputeti demokrat Ervin Salianji kërkoi nga drejtësia të jetë më e shpejtë dhe më e vendosur ndaj kësaj çështjeje.

“Edhe sot u gjet një arsye po themi nga ai që është bërë sebep i akuzës për të shtyrë seancën në publik. Prokuroria dhe drejtësia e komanduar nuk ka bërë asnjë hetim për hetimin e drogës, ka bërë një paçavure. Mendoj se drejtësia duhet të jetë më e shpejtë më e vendosur”, u shpreh Salianji ndërsa shtoi se prania e deputetëve të PD në sallë është inkurajim dhe jo presion për drejtësinë.

“Di një gjë që kjo çështje e nxjerr me shpejtësi duhet të mbyllet me shpejtësi, dyshimet e mia janë që mos ketë më një rishqyrtim. Nuk është e domosdoshme të jetë avokati se është prokuroria. Për të gjithë ata që thonë që deputetë që marrin pjesë në seanca është presion, është siç kemi bërë në çdo seancë, është inkurajim për drejtësinë. Qeveritë bëjnë presion sin ë këtë rast, të përfshirjes për të disatën herë në trafik droge, apo të njerëzve të tyre të afërt, në veprimtari të paligjshme”, përfundoi Salianji.

Me një vendim fajësie që i rëndon prej 2019 dhe nuk ka marrë formë të prerë, Ervin Salianji nisi përballjen me Prokurorinë e Apelit që ngul këmbë se ai kreu kallëzim të rremë në dosjen “Babale” së bashku me Fredi Alizotin, Albert Veliun dhe gazetarin Jetmir Olldashi.

Dosja që tronditi politikën në atë kohë dhe që solli dorëheqjen e Fatmir Xhafës sipas prokurorisë nuk ishte gjë tjetër veçse një skenar që përfshiu dëshmitarin X dhe një shok të tij të joshur për përfitim personal.

Por Albert Veliu, njohur ndryshe si “Babalja” u largua për azil politik, kurse bashkëpunëtori i tij Fredi Alizoti i vetmi që bëri burg sipas gjykatës së apelit u tërhoq nga apelimi mbasi e ka vuajtur dënimin.

Në këto kushte politikani Salianji pret të jetë dyfish i akuzuar jo vetëm nga prokuroria por edhe nga njeriu të cilin ai e akuzoi, Geron Xhafa për të cilin Gjykata e Apelit kërkoi të njoftohet për nisjen e procesit mbasi ka statusin e viktimës dhe të dëmtuarit.

Top Channel